Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Londër, ku ka realizuar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Vizita nisi me një takim me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku u theksua partneriteti i fortë mes dy vendeve dhe u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike ndaj Kosovës, transmeton KultPlus.
Gjatë qëndrimit në Londër, Kurti u takua edhe me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, me të cilën diskutoi për mbështetjen financiare dhe zhvillimin e sektorit privat, si dhe për projektet infrastrukturore në energji, ujë dhe transport.
Në kuadër të vizitës, kryeministri mori pjesë në një panel të organizuar nga organizata ODI Global, ku së bashku me Sara Pantuliano, Dora Meredith dhe analistin e njohur Martin Wolf, diskutuan për shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global.
Ai gjithashtu mori pjesë në një darkë të organizuar nga ministri britanik për Mbrojtje, Lord Coaker, ku u trajtuan çështje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.



