13.8 C
Skopje
Wednesday, November 5, 2025

Kurti në 9-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit: Ai u mbyt në burg, dhe sot e kësaj dite nuk ka as të akuzuar, as të gjykuar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas homazheve te varri i Astrit Deharit që vdiq 9 vjet më parë, ka thënë se ai u mbyt derisa po mbahej në burgun e Prizrenit, sipas tij për shkaqe politike me të cilat nuk janë pajtuar pushtetit i atëhershëm, raporton Ekonomia Online.

Kurti kritikoi sistemin e drejtësie që as pas kaq vitesh nuk ka zbardhur rastin, pa çka edhe njëherë ka bërë thirrje për drejtësi, e ka sugjeruar që të bëhet edhe hetim për hetimet fillestare.

“Ne të gjithë bashkëaktivistët e tij të LVV-së që bëjmë nderime sot me rastin e 9-vjetorit të mbytjes së tij në burgun e Prizrenit, kujtojmë se Astrit Dehari ishte në burg për shkaqe politike, për shkak se nuk pajtohej me pushtetin e atëhershëm. Ai u mbyt në burg, dhe sot e kësaj dite nuk ka as të akuzuar, as të gjykuar, e lëre më të dënuar për rastin e tij. Katër prokurorë janë ndërruar: dy kanë qenë të Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe dy të Prokurorisë Speciale, mirëpo nuk ka pasur avancim cilësor. Si Republikë e Kosovës, jemi në gjendje gatishmërie, shumë të vullnetshëm dhe të interesuar që ta ndihmojmë Prokurorinë e Shtetit. Mirëpo, 9 vjet janë shumë. edhe 9 muaj do të ishin shumë pa u zbardhur ky rast, pa u sqaruar e vërteta dhe pa u sjellë drejtësia”, deklaroi Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes tha se Astrit Dehari është modeli për ta për të bërë punët dhe idealet që kanë.

“Astrit Deharin do ta kujtojmë e përkujtojmë sa të jetë jeta, por edhe brezat pas nesh, si një student shembullor, si një aktivist i paepur, student shembullor i Fakultetit të Mjekësisë dhe aktivist i paepur i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është model për secilin prej nesh në punët që bëjmë dhe idealet që kemi”, u shpreh ai.

Kurti tha se vdekja e Astritit është plagë e hapur, u përgjigj edhe ndaj kritikëve se pse për katër vjet sa është në krye të Qeverisë nuk bëri asgjë për rastin.

Kurti për këtë pati një përgjigje duke thënë se nuk është nuk janë ata prokurorë e as gjyqtarë.

“Edhe njëherë i bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë që të bëjë shumë më tepër dhe të angazhohet siç nuk është angazhuar deri më tash, sepse kjo padrejtësi, ky krim është plagë e hapur jo vetëm për familjen Dehari e Vetëvendosjen, por për mbarë familjen tonë shoqërore. Në punën e Prokurorisë dhe të sistemit të drejtësisë nuk mund të ndërhyjmë, janë shtylla të ndara të pushtetit. Ne shprehim gatishmërinë, vullnetin dhe interesin tonë për drejtësi. Ka shumë mundësi që në këtë rast duhet të hetohet edhe procesi i hetimit që është zhvilluar në fillimet e tij, meqë nëse diçka nis mbrapsht, atëherë bëhet dyfish më e vështirë që të mbarojë mbarë. Si kryeministër, aktivistët tanë, ministrat, deputetët tanë nuk mund të bëhen prokurorë e gjyqtarë”, deklaroi Kurti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit