Prishtinë, 12 tetor – Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet lokale, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen ndaj kandidatëve të LVV-së nëpër komuna.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kurti theksoi se qytetarët e Kosovës edhe njëherë kanë dëshmuar kulturën e tyre demokratike, duke kaluar ditën e zgjedhjeve me qetësi, dinjitet dhe përgjegjësi.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi,” ka shkruar Kurti.
Ai u shpreh mirënjohës për mbështetjen e dhënë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! dhe kandidatëve të saj, duke e konsideruar këtë si forcë për të vazhduar përpara me punë dhe përkushtim.