Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh të kombit shqiptar dhe një mbështetës të palëkundur të Kosovës.
Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se Engel, për më shumë se tri dekada në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikanë dhe një zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut, përcjell KultPlus.
Ai kujtoi rolin e rëndësishëm të Engel në periudhat më të vështira për shqiptarët, duke theksuar se ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij për të ngritur dhe mbrojtur çështjen e Kosovës në institucionet më të larta amerikane.
“Engel ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës, në ditët kur drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri”, u shpreh Kurti.
Kryeministri shtoi se takimet me të ishin gjithmonë të mbushura me interes të sinqertë për të ardhmen e vendit, duke vlerësuar kontributin e tij në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si pjesë e mbështetjes së aleatëve perëndimorë.



