11.8 C
Skopje
Sunday, October 26, 2025

Kurti dështon t’i marre 61 vota për Kurti 3

Propozimi i mandatarit Albin Kurti për formimin e qeverisë së re të Kosovës nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në kuvend. Kështu, me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë “Kurti 3”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani. Kurti gjatë seancës së sotme theksoi se vota për formimin e ekzekutivit nuk është formalitet por përgjegjësi shtetërore.

– Advertisements –

“…si pasojë e mosgatishmërisë nga partitë parlamentare për të marrë përgjegjësinë që iu ka deleguar qytetari me votë, sot ndodhemi para një situate ku qeveria e re propozohet për votim jo si produkt i një koalicioni politik, por si akt i një shërbimi ndaj vendit. Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e qeverisë së re, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm”, tha Albin Kurti, ,mandatar për formimin e qeverisë së Kosovës .

Pas dështimit të sotëm të Kurtit për ta formuar qeverinë e re, PDK dhe LDK thanë se vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se nuk janë të interesuar të bëjnë përpjekje për të formuar qeverinë e re në tentimin e dytë.

“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar me izolim, përçarje dhe humbje kohe. E kam thënë dhe po e përsëris prapë, se Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më as prej zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe as prej zgjedhjeve të ardhshme. Epoka e qeverisjes së tij ka marrë fund”, tha Memli Krasniqi, Kyretar i PDK-së.

“Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ne do të punojmë fuqishëm që të jemi partia e parë dhe mandej shohim. Natyrisht, preferenca jonë është që të bëhet një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk kemi asnjë interesim që opozita të bëjë qeveri. Ju e dini se LDK-ja para disa muajve ka propozuar një qeveri të përkohshme, në mënyrë që të kalojmë ligjin e buxhetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat sot vajtonin eksponentët e qeverisë dhe deputetët”, u shpreh Hykmete Bajrami, LDK.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë. Meqë opozita nuk dëshiron të bëjë përpjekje të dytë për formimin e qeverisë, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit