Uranik Emini
Në ambientet tashmë të “përhershme” të Teatrit Kombëtar të Kosovës është shfaqur më 3 mars shfaqja “Nemesis”, një produksion i Teatrit ODA me tekst nga Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti, ndërsa regjia mban gjithashtu emrin e këtij të fundit, shkruan KultPlus.
Shfaqja paraqet një rrëfim që eksploron marrëdhënien mes pushtetit dhe transformimeve që ai mund të shkaktojë në karakterin dhe mendjen e njeriut.
E mbështetur në referenca historike që lidhen me rrëfimet e Herodotit, shfaqja e vë në qendër figurën e Krojsit, mbretit të pasur të Lidisë, i cili në histori njihet për pasurinë dhe fuqinë e tij të jashtëzakonshme. Në skenë, ai paraqitet si një sundimtar që rrethohet me luks, festë dhe pa mungesë të lavdërimeve, derisa ngadalë ngadalë fillon edhe të besojë se madhështia e tij është e pakufishme.



