Në ambientet madhështore të Muzeut Arkeologjik të Shkupit, dizajnerja e njohur Arbesa Abazi ka sjellë një përvojë unike artistike me ekspozitën “La Musique dans la Mode”, nën drejtimin e profesor Izet Curi dhe në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar “Izet Curi”.
Ky bashkëpunim frymëzues ka shkrirë artin e modës me emocionin e muzikës, duke sjellë para publikut një koleksion të veçantë të frymëzuar nga ikona botërore e muzikës operistike, Luciano Pavarotti.
Koleksioni përfshin 15 silueta, të cilat përmbajnë veshje solemne dhe krijime të përditshme të punuara me standardet më të larta të Haute Couture.
Materiale si tafta, mëndafshi dhe shtof janë përdorur me mjeshtëri për të ndërtuar forma të modeluara përmes teknikës së mulazhit, duke sjellë një dialog mes tekstilit dhe tingullit.
Ngjyrat e bardha dhe të kuqe, që përfaqësojnë pastërtinë dhe pasionin, si dhe vjollca me simbolikën e saj të luksit dhe thellësisë emocionale, e bëjnë koleksionin jo vetëm vizualisht tërheqës, por edhe shpirtërisht ndjellës. Këto kontraste përputhen me trendet aktuale të modës verore dhe festive.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë, duke ofruar një ndërthurje të rrallë artistike ku muzika dhe moda ndërthuren në një spektakël ndjesish dhe elegance.
Përveç këtij projekti, Arbesa Abazi ka sjellë më parë ekspozita të suksesshme si “Inspirim nga veshjet tradicionale shqiptare” në Mala Stanica dhe “Inspirim nga perlat dhe mjellmat e Ohrit” në Teatrin Popullor Maqedonas, të cilat janë pritur me entuziazëm nga publiku dhe profesionistët e fushës për origjinalitetin dhe punimin e rafinuar.

Arbesa Abazi vazhdon të afirmohet si një zë i fuqishëm dhe autentik në skenën e modës, duke e kthyer çdo koleksion në një rrëfim emocional e estetik.





