Pavarësisht teorive, Kulla e Djallit mbetet një simbol i fuqishëm natyror dhe kulturor. Ajo ka qenë subjekt i mitologjisë indigjene, është monumenti i parë kombëtar në historinë e SHBA-ve (shpallur më 1906), si dhe një ikonë e kulturës popullore – përfshirë edhe filmin klasik “Close Encounters of the Third Kind”
Një mrekulli natyrore në Wyoming, mbetet ende një mister për shkencëtarët që përpiqen të zbulojnë origjinën e saj magmatike miliona vjeçare Në veri-lindje të Wyoming-ut ngrihet krenare Kulla e Djallit – një formacion natyror 386 metra i lartë, që vazhdon të ngjallë kureshtje dhe debat shkencor. Edhe pse shkenca ka hedhur dritë mbi shumë aspekte të saj, origjina e saktë e kësaj strukture mbetet ende e paqartë. Në internet qarkullon shpesh një teori e rreme që pretendon se Kulla e Djallit është një trung i fosilizuar i një peme gjigante, një ide që ka fituar popullaritet që nga viti 2017 përmes postimeve në rrjete sociale.
Disa madje kanë pretenduar se shkencëtarët gjoja kishin zbuluar një “sistem rrënjësh të fosilizuara” katër milje të thellë nën tokë gjatë matjeve sizmike – por kjo është plotësisht e pavërtetë. Në realitet, kjo mrekulli natyrore është rezultat i miliona viteve erozioni dhe i bashkëveprimit midis dy llojeve kryesore të shkëmbinjve. Rreth 200 milionë vjet më parë, kjo zonë ishte një det i cekët, ku shtresat e sedimentit u ngurtësuan në shkëmbinj sedimentarë.
Më vonë, gjatë epokës Paleocene (rreth 56-66 milionë vjet më parë), magma u ngjit përmes korës së Tokës, duke depërtuar midis këtyre shtresave sedimentare. Ajo nuk arriti në sipërfaqe, por u ftoh ngadalë, duke krijuar një strukturë me teksturë “si lëvore peme”, e cila sot përbën shkëmbin magmatik që formon kullën. Me kalimin e dhjetëra milionë viteve, era, shiu, bora dhe lumi Belle Fourche gërryen shtresat e buta sedimentare, duke zbuluar bërthamën magmatike – pra vetë Kullën e Djallit. Procesi i erozionit vazhdon edhe sot. Me kalimin e kohës, kulla do të vazhdojë të zvogëlohet, dhe dëshmi për këtë janë blloqet dhe gurët që bien në bazën e saj, të shkëputura nga kolonat e shkëmbit.
Sa i përket formës origjinale të saj, shkencëtarët kanë tre teori kryesore:
– Teoria e “Igneous Stock” – Masa e shkëmbit magmatik ka qenë me formë të parregullt, si një pllajë nëntokësore. Magma nuk ka dalë kurrë në sipërfaqe.
– Teoria e “Laccolith” – Kulla ka qenë në formë kërpudhe. Edhe këtu, magma është ftohur përpara se të shpërthente në sipërfaqe.
– Teoria e “Volcanic Plug” – Magma ka arritur afër sipërfaqes dhe ka formuar “gryka” të një vullkani që më pas është “bllokuar” kur magma është ngurtësuar.
Pavarësisht teorive, Kulla e Djallit mbetet një simbol i fuqishëm natyror dhe kulturor. Ajo ka qenë subjekt i mitologjisë indigjene, është monumenti i parë kombëtar në historinë e SHBA-ve (shpallur më 1906), si dhe një ikonë e kulturës popullore – përfshirë edhe filmin klasik “Close Encounters of the Third Kind”. Sot, Kulla e Djallit është një destinacion i dashur për alpinistët dhe studiuesit, dhe megjithëse misteret rreth saj nuk janë të gjitha zgjidhur, ajo vazhdon të qëndrojë si një nga monumentet më mahnitëse të gjeologjisë amerikane. (Albanian Post)



