Ku në Evropë përdoret më së shumti inteligjenca artificiale, dhe sa në Maqedoni?

Shkup, 3 janar – Inteligjenca Artificiale gjenerative (IA) është shndërruar me shpejtësi nga një teknologji e re në një mjet të përditshëm. Nga përdorimi personal deri te puna dhe arsimi, miliona njerëz në mbarë Evropën tani mbështeten në mjete si ChatGPT, Gemini dhe Grok, por shkalla e adoptimit të kësaj teknologjie ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin, raporton Euronews Next.

Mjetet e IA-së gjenerative u mundësojnë përdoruesve të krijojnë përmbajtje të re si tekst, imazhe, kod apo video, bazuar në kërkesa të thjeshta. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, rreth një e treta e popullsisë së Bashkimit Evropian, të moshës 16 deri në 74 vjeç, ka përdorur të paktën një herë një nga këto mjete.

Megjithatë, të dhënat për 33 vende evropiane zbulojnë një hendek të madh në përdorimin e inteligjencës artificiale – nga vetëm 17 për qind në Turqi deri në 56 për qind në Norvegji. Brenda vetë Bashkimit Evropian, përdorimi varion nga 18 për qind në Rumani deri në 48 për qind në Danimarkë.

Në plot 13 vende evropiane, më shumë se 40 për qind e popullsisë ka përdorur mjete të inteligjencës artificiale gjenerative. Në këtë grup, përveç Norvegjisë dhe Danimarkës, bëjnë pjesë Zvicra (47 për qind), Estonia (47 për qind), Malta (46 për qind), Finlanda (46 për qind), Irlanda (45 për qind), Holanda (45 për qind), Qiproja (44 për qind), Greqia (44 për qind), Luksemburgu (43 për qind), Belgjika (42 për qind) dhe Suedia (42 për qind).

Në anën tjetër, në tetë vende më pak se një e katërta e popullsisë i përdor këto mjete. Krahas Turqisë dhe Rumanisë, këtu përfshihen Serbia (19 për qind), Italia (20 për qind), Bosnja dhe Hercegovina (20 për qind), Maqedonia e Veriut (22 për qind), Bullgaria (23 për qind) dhe Polonia (23 për qind).

Ndër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Italia (20%) dhe Gjermania (32%) janë nën mesataren e BE-së, ndërsa Spanja (38%) dhe Franca (37%) janë pak mbi të, duke treguar një ndarje të qartë mes veriut dhe perëndimit më të avancuar digjitalisht dhe jugut e lindjes më të prapambetur të Evropës.

Ekspertët shpjegojnë se këto dallime nuk janë të rastësishme. “Së pari, shkalla e adoptimit të inteligjencës artificiale ka tendencë të ndjekë bazën e përgjithshme digjitale të një vendi. Vendet që shfaqin përdorimin më të lartë, si Danimarka dhe Zvicra, tashmë janë shumë të avancuara në digjitalizim”, tha për Euronews Next Colin van Noordt, studiues në Universitetin KU Leuven në Belgjikë.

Ai thekson se njerëzit në këto vende tashmë kanë aftësi digjitale, përdorin më shpesh internetin dhe në përgjithësi janë më të orientuar drejt teknologjisë. “Kjo reflektohet edhe në të dhëna: në vendet me përdorim më të ulët, njerëzit nuk e përdorin inteligjencën artificiale sepse nuk e dinë që ekziston ose nuk dinë si ta përdorin”, shtoi ai.

Van Noordt thekson se një gjë është të kesh qasje në teknologji, dhe krejt tjetër të dish si ta përdorësh. “Shumë njerëz në Evropë thonë se nuk e përdorin inteligjencën artificiale gjenerative thjesht sepse nuk dinë për çfarë ta përdorin. Kjo tregon se ‘shkrim-leximi në inteligjencën artificiale’ është një faktor kyç”, u shpreh ai.

Edhe pse qeveritë mund ta inkurajojnë përdorimin, Van Noordt përfundon se “kultura themelore digjitale dhe aftësitë praktike të qytetarëve duket se kanë ndikim më të madh”.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se inteligjenca artificiale përdoret shumë më tepër për qëllime personale sesa për punë. Mesatarisht, 25 për qind e njerëzve në BE i kanë përdorur mjetet e inteligjencës artificiale për arsye personale, ndërsa 15 për qind për qëllime profesionale. Përdorimi personal dominon në të gjitha vendet e analizuara, por diferencat ndryshojnë ndjeshëm.

Për shembull, në Holandë raporti është pothuajse i barabartë (28 për qind për arsye personale dhe 27 për qind për arsye profesionale), ndërsa në Greqi, 41 për qind e njerëzve përdorin inteligjencën artificiale për qëllime personale, ndërsa vetëm 16 për qind për arsye pune.

Sipas Van Noordt, përdorimi më i ulët në vendin e punës lidhet me faktin se “ende nuk është e qartë se për çfarë mund të përdoret me një kontribut pozitiv”. Inteligjenca artificiale përdoret më së paku në arsimin formal – vetëm 9 për qind në nivel të BE-së. Ky përqindje është më e larta në Suedi dhe Zvicër (21 për qind), ndërsa më e ulëta në Hungari, ku është vetëm 1 për qind.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit