15.8 C
Skopje
Wednesday, October 29, 2025

Kryeziu kërkon seancë të jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit 2026

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka bërë thirrje për unitet politik dhe përgjegjësi institucionale në prag të përgatitjes së buxhetit të ri shtetëror.

Ai ka kërkuar që partitë politike të lënë mënjanë dallimet dhe të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit ku të aprovohet buxheti për vitin 2026.

“Partitë politike shqiptare duhet të merren vesh së paku për një gjë: ta thërrasin një seancë të jashtëzakonshme dhe me minimum 80 vota ta aprovojnë buxhetin e vitit 2026”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin social në Facebook.

Të dielën, më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedh Qeverinë e re të propozuar nga Albin Kurti. Dështimi në zgjedhjen e qeverisë ndodhi pasi koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit LVV-GUXO-Alternativa, nuk arriti t’i sigurojë numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë.

Për kabinetin e ri qeveritar votuan vetëm 56 deputetë, kundër ishin 48, ndërsa katër deputetë abstenuan.

Ky dështim mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Për më tepër, për shkak të mungesës së institucioneve të reja, ekziston rreziku që vendi të përballet me krizë ekonomike, pasi nuk do të mund të miratohet buxheti për vitin 2026.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se të enjten do të mbahet mbledhja e Kryesisë me këtë rend të ditës: Konsultim për funksionalizimin e trupave punuese të Kuvendit, Diskutim rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan, dhe Zubin Potok si dhe të ndryshme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit