Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka marrë pjesë në mbrëmjen gala CCIT Awards 2025, të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, një ngjarje e rëndësishme kushtuar vlerësimit të sipërmarrjes shqiptare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qyra theksoi se përfaqësimi i qytetit të tij në ngjarje vendore dhe ndërkombëtare ka qenë gjithmonë krenari, por përfaqësimi i Strugës në cilësinë e Kryetarit të Komunës përbën një privilegj dhe nder të veçantë.
Në këtë mbrëmje gala, Kryetari Qyra ndau një nga çmimet e mbrëmjes, në cilësinë e ish-Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe si Kryetar i Komunës së Strugës, duke vënë në pah rolin thelbësor të institucioneve në mbështetjen e biznesit dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik.
CCIT Awards 2025 u karakterizua si një mbrëmje vlerësimi për punën, guximin dhe suksesin e sipërmarrësve, ku u nderuan gjithsej 29 kompani në gjashtë kategori të ndryshme.
Në përfundim të mesazhit të tij, Kryetari Qyra theksoi se Struga mbetet e hapur për bashkëpunim, e orientuar drejt forcimit të lidhjeve rajonale dhe e përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe iniciativa të reja.






