Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Natës së Israsë dhe Miraxhit, duke e cilësuar këtë natë si një moment të veçantë reflektimi, mëshire dhe shprese.
“Nata e Israsë dhe Miraxhit është një natë që na kujton mëshirën dhe shpresën”, ka shkruar Gashi në postimin e tij, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe morale që kjo natë ka për besimtarët.
Sipas kryeparlamentarit, mesazhi i Miraxhit shkon përtej dimensionit fetar dhe përçon vlera universale. “Miraxhi na mëson se forca e vërtetë lind nga durimi, se lartësimi i ndërgjegjes dhe besimi i sinqertë i japin kuptim ekzistencës”, ka theksuar ai, duke shtuar se lidhja me Zotin është “busulla që e mban njeriun të drejtë mes sfidave”.
Gashi ka nënvizuar se kjo natë është edhe një thirrje për shoqërinë në tërësi. “Kjo natë është ftesë për reflektim, për përulësi dhe për një ngritje morale që fillon nga brenda dhe reflektohet në shoqëri”, ka shkruar ai.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari i Kuvendit ka uruar besimtarët: “Urime Nata e Madhe e Miraxhit!”.



