Kryeministri Kurti mirëpret Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula

Sot, më 27 shkurt 2026, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademiken Justina Shiroka-Pula, së bashku me nënkryetarin akademik Fejzullah Krasniqi dhe sekretarin shkencor Bardh Rugova. Në fillim, ata e uruan Kryeministrin për mandatin e ri dhe më pas diskutuan mbi rolin e dijes dhe shkencës në zhvillimin strategjik të vendit.

Akademia shprehu gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizë në projekte të rëndësishme zhvillimore, veçanërisht në fushat e migrimit, kthimit të kapitalit njerëzor, inteligjencës artificiale, si dhe në politikat e sigurisë dhe tranzicionit energjetik.

Pas diskutimeve të frytshme u arrit pajtimi për thellimin e bashkëpunimit institucional, duke siguruar vendimmarrje të bazuar në analiza shkencore dhe planifikim afatgjatë. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës konfirmoi përkushtimin e saj për të qenë partner strategjik i institucioneve të vendit në ndërtimin e një shteti të zhvilluar dhe konkurrues./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit