Diplomati Krum Efremov pritet të emërohet ambasador i Maqedonisë së Veriut në Sofje. Lajmin e konfirmoi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili tha se po vijojnë përgatitjet për emërimin e tij.
I pyetur për kandidatin e mundshëm për ambasador në Athinë, për të cilin kanë raportuar disa media, Mucunski tha se nuk mund të komentojë, pasi procedura ende është e klasifikuar dhe emri i kandidatit nuk mund të bëhet publik.
Ministri njoftoi gjithashtu se të enjten dhe të premten në vend do të mbahet Këshilli Ambasadorial, ku do të marrin pjesë drejtuesit e misioneve diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Mucunski, ky takim zhvillohet për herë të parë që nga viti 2019 dhe do të fokusohet në koordinimin strategjik të diplomacisë së vendit, agjendën evropiane dhe euroatlantike, zhvillimet gjeopolitike e të sigurisë, stabilitetin rajonal, diplomacinë ekonomike dhe çështjet konsullore.
“Qëllimi është të bëjmë një përmbledhje të punës së realizuar, të harmonizojmë qëndrimet dhe të përcaktojmë detyra konkrete për periudhën që vijon”, tha Mucunski.






