Dibër, 9 dhjetor – Blegtorët e komunave më perëndimore të vendit prej vitesh ankohen për uljen e numrit të dhenve. Në takimet e blegtorëve të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, ata thonë se situata është shumë shqetësuese dhe kërkojnë rritjen e subvencioneve, si dhe pagesën e tyre pa vonesa. Sipas tyre, pa mbështetjen e Qeverisë situata do të përkeqësohet më tej. Shoqata e blegtorëve “Dashi” nga Dibra thotë se vetëm gjatë një viti ka rënie të numrit të dhenve për rreth 15 për qind.
“Nëse nuk rriten subvencionet, edhe pse kemi kushte shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë, në Dibër dhe në Zhupë do të vazhdojë ulja drastike e numrit të dhenve. Para një dekade në Dibër, Qendër Zhupë dhe Rekë kemi pasur rreth 40 mijë krerë, ndërsa vitin e kaluar janë evidentuar vetëm 30 mijë. Vetëm gjatë një viti rënia ka arritur 15 për qind. Në këtë mënyrë nuk mund ta zhvillojmë blegtorinë”, thotë për gazetën KOHA, Skënder Ame, përfaqësues i shoqatës së blegtorëve “Dashi”. Ai shton se situata është dramatike. Dikur në këtë rajon ka pasur mbi 100 mijë krerë, por nga dekada në dekadë numri bie. “Kemi kullosat verore më të mira në vend, në malet e Korabit, Deshatit, Bistrës, Stogovës e të tjera. Këto hapësira janë të pasura me vegjetacion dhe ujë, dhe krijojnë kushte të shkëlqyera për blegtori”, thotë Ame, i cili vjen nga një familje me pesë gjenerata blegtorësh.
Ai shton se pa përkrahje shtetërore situata nuk mund të përmirësohet. “Nuk kemi marrë subvencionet për vitin 2024, ndërkohë që shpenzimet tona janë shumë të larta. Me subvencionet aktuale nuk mund të zhvillohet blegtoria. Problemet shtohen edhe për shkak të mungesës së barinjve, si dhe mungesës së personave që përgatisin djathin e bardhë tradicional të Dibrës. Në këto kushte nuk kemi mundësi ta rrisim numrin e dhenve”, thekson ai.
Ame thotë se Ministria e Bujqësisë duhet të ketë strategji dhe plane afatgjata për zhvillimin e blegtorisë në Maqedoninë e Veriut, pasi sektori mund të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit. Në bisedat me blegtorë të tjerë, të cilët e trashëgojnë këtë profesion prej brezash, e njëjta pakënaqësi përsëritet. Asan E. nga Zhupa thotë se pa përkrahje të shtetit, blegtoria nuk ka të ardhme. “Ata në qeveri duhet ta dinë se kemi kushte të shkëlqyera për rritjen e numrit të dhenve. Subvencionet që japin nuk na ndihmojnë shumë. Pa rritjen e tyre, do të mbetemi pa dhen”, thotë ai.
Sipas blegtorëve, vonesat në pagesën e subvencioneve dhe shuma e ulët e tyre po e frenojnë çdo zhvillim të sektorit. Institucionet lokale të veterinarisë theksojnë se, krahas uljes së numrit të dhenve, ka rënie të madhe edhe të numrit të lopëve. Në rajon aktualisht janë shumë të pakta familjet që mbajnë lopë për qumësht, gjë që vërehet qartë edhe nga prodhimi ditor i qumështit të lopës, i cili sot është diçka më shumë se një ton në ditë, ndërsa dikur ka qenë mbi dhjetë tonë. (koha.mk)






