Viti që po mbyllet u shënua nga kriza të thella globale dhe sfida të mëdha, ndërsa Maqedonia e Veriut ndoqi një politikë të jashtme të qartë evropiane dhe nisi reforma kyçe në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe energjetik, tha Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në mesazhin e saj të fundvitit. Ajo veçon si momentin më të rëndë tragjedinë në Koçan, duke nënvizuar se drejtësia mbetet obligim i përhershëm.
“Uroj që Viti i Ri të jetë një kohë e një hapi përpara drejt një paqeje të qëndrueshme botërore, e mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe në institucionet ndërkombëtare; dëshiroj që ne të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, të vendosur të jetojmë në një ambient të sundimit të ligjit, demokracisë, prosperitetit ekonomik dhe një mjedisi të shëndetshëm jetësor”, tha Gordana Siljanovska-Davkova, presidente.
Le ta nisim Vitin e Ri si një kapitull me zemër të hapur, me shpresë të pazbehur dhe besim në potencialin tonë si shoqëri, uroi kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në mesazhin e tij të fundvitit, duke thënë se 2025-ta për Parlamentin ishte vit i punës së përkushtuar dhe i hapave që kanë lënë gjurmë.
“Ky vit na rikujtoi një të vërtetë thelbësore: se përparimi i qëndrueshëm nuk lind vetëm nga proceset dhe reformat, por nga uniteti, pjekuria për të ndërtuar konsensus dhe nga besimi i ndërsjellë. Vetëm kur qëndrojmë së bashku, me respekt dhe vullnet për të gërshetuar dallimet, si dhe me përgjegjësi ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë e më të ndritur për të gjithë ne”, deklaroi Afrim Gashi, kryeparlamentar.
Duke uruar shëndet, paqe dhe forcë në Vitin e Ri 2026, kryeministri Hristijan Mickoski tha se vitin që po lëmë pas për Qeverinë ishte vit i stabilizimit, reformave dhe vendosjes së themeleve, ndërsa vitin që po vjen e sheh si vit të realizimeve të dukshme të projekteve që janë në plan.
“Me të drejtë mund të them se 2026-ta do të jetë vit lëvizjeje dhe një vit transformimi! Vit i rritjes, me realizim të projekteve domethënëse infrastrukturore. Vit i përforcimit ekonomik, me investime të reja, mbështetje për ekonominë dhe hapjen e mundësive për punë dhe zhvillim. Vit i stabilitetit politik në të cilin institucionet do të funksionojnë më qartë, më me efikasitet dhe me më përgjegjësi”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër..
Vit të mbarë, të begatë dhe të suksesshëm uruan edhe shumë zyrtarë të tjerë të shtetit, si dhe liderë të partive politike.



