Krerët e shtetit në Maqedoninë e Veriut kanë uruar festën e Fitër Bajramit, përcjell TV21. Kryeministri Hristijan Mickoski përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ua uroi festën besimtarëve të fesë islame.
“Gëzuar Ramazan Bajramin të gjithë besimtarëve të fesë islame! Në këto ditë të shenjta, kur përmbyllet muaji i agjërimit, durimit dhe përkushtimit shpirtëror, të kujtojmë vlerat e vërteta që na bashkojnë si njerëz: respektin, solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin për tjetrin. Kjo festë na mëson se forca e një shoqërie matet me gatishmërinë për të ndihmuar dhe për të treguar mirëkuptim”, thuhet në urimin e kryeministrit Mickoski.
Si popull, shtohet më tej, gjithmonë kemi ditur të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në momentet më të rëndësishme. Prandaj, sot më shumë se kurrë, është e nevojshme të kultivojmë bashkëjetesën, të ndërtojmë besim dhe të investojmë në një të ardhme të përbashkët me paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë qytetarët.
“Gëzimi i Bajramit le t’i mbushë shtëpitë tuaja me ngrohtësi, dashuri dhe mirëqenie. Le t’i ndajmë momentet e bukura me familjen, miqtë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje. Me urimet më të sinqerta për shëndet, përparim dhe begati!”, theksohet në urimin e tij.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova gjithashtu u dërgoi urim besimtarëve të fesë islame dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, reis-ul-ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu.
“I nderuar reis-ul-ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve dhe imamëve, si dhe të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoni, ju uroj përzemërsisht festën e madhe – Ramazan Bajramin. Kjo festë është më shumë se një traditë; ajo është shprehje e besimit të thellë, spiritualitetit, mëshirës, harmonisë dhe dashurisë”, thuhet në urimin e saj.
Energjia dhe ngrohtësia e muajit të shenjtë, shtohet më tej, nuk ndihen vetëm në objektet fetare islame dhe në shtëpitë e besimtarëve, por në të gjithë shoqërinë.
“Në një kohë kur njerëzimi përballet me konflikte, luftëra, kriza dhe ndryshime klimatike, dhe kur kemi nevojë për paqe e stabilitet, vetëm përmes unitetit dhe respektit mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe një atdhe të begatë. Le ta ruajmë këtë frymë gjatë gjithë vitit!”, theksohet në urimin e presidentes.



