Kremlini njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, e paralajmëroi presidentin amerikan Donald Trump gjatë telefonatës së tyre të sotme se furnizimi i Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi Tomahawk nga SHBA do të kishte pasoja të rënda për marrëdhëniet dypalëshe dhe për procesin e paqes në Ukrainë.
“Putin theksoi se një veprim i tillë do të dëmtonte rëndë jo vetëm marrëdhëniet SHBA–Rusi, por edhe do të kompromentonte çdo përpjekje për zgjidhje paqësore të konfliktit,” u shpreh ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, në një deklaratë për mediat.
Sipas Ushakov, presidenti rus i bëri të ditur Trump-it se forcat e armatosura ruse kanë aktualisht “iniciativë të plotë strategjike” përgjatë gjithë vijës së frontit në Ukrainë.
Biseda mes dy liderëve, e cila zgjati afro dy orë e gjysmë, u zhvillua me iniciativën e Moskës, sipas Kremlinit.
Ushakov konfirmoi gjithashtu se takimi i paralajmëruar mes Trump dhe Putin në Budapest do të paraprihet nga një telefonatë diplomatike mes Sekretarit të Shtetit të SHBA, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, e cila pritet të ndodhë brenda ditëve në vijim.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në frontin lindor janë intensifikuar dhe përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim të qëndrueshëm kanë mbetur të bllokuara.