18.8 C
Skopje
Monday, October 20, 2025

Kosovë/ Osmani thotë se duhet sa më parë të krijohet qeveria e re me mandat të plotë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke komentuar kërkesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e punës së Kuvendit, ka theksuar se ajo ishte totalisht e panevojshme, duke nënvizuar se vonesat e shkaktuara po i dëmtojnë jo vetëm interesat e Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ata serb.

“Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi që Kuvendi është konstituuar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike, unë aty si presidente nuk mund të ndërhyj. Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, u shpreh Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Lidhur me veprimet e mëtejshme në rast se partia e parë nuk i siguron votat, Osmani tha se ka afate të caktuara me Kushtetutë por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, por nuk deshi të supozojë që tani, duke nënvizuar se ka edhe pak kohë.

“Për atë çështje, nëse vjen deri në situatë të tillë, kur as partia e parë e as ajo që mund të ketë mundësinë e dytë nuk arrijnë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë, por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ka disa aktgjykime me këtë temë. Por pastaj afati që jepet është 30-45 ditë. Këtë datë do ta vendosja në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimit me partitë politike. Unë nuk do të ngutsha që të jap supozime që do të dështojë në krijimin e qeverisë, ka edhe pak kohë”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

E pyetur se pse nuk po ka angazhim të partisë për t’i siguruar votat, Osmani supozon se ka gjëra që nuk dihen, e për të cilat pastaj nuk mund të thuhet se takimet nuk ndodhin./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit