Krerët institucionalë në Kosovë kanë kërkuar drejtësi për 45 viktimat civile që u vranë në masakrën e Reçakut 27 vjet më parë. Në akademinë përkujtimore, ata thanë se Reçaku u bë pikë kthese para botës, ku u qartësua realiteti i hidhur i regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Megjithatë, u tha se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 22 personave tregon se drejtësia nuk do të ndalet kurrë, edhe kur kriminelët serbë fshihen apo strehohen nga shteti serb. Sipas tyre, aktakuza afirmon se çdo krim ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dhimbja e Reçakut nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi 27 vjet më parë, por edhe nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën nga Serbia.
“Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. Guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simbol i së vërtetës, ambasadori William Walker. Nga ajo që pa personalisht, nuk hezitoi ta përshkruajë ngjarjen si masakër që dukej qartë, padyshim, si krim kundër njerëzimit. Këto ishin fjalët e ambasadorit Walker më 16 janar 1999 në Reçak. Këto ishin pikë kthese në historinë tonë që tronditën botën dhe ia zhveshën maskën gënjeshtare gjenocidale të Serbisë… Sot dhimbja nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi atë ditë, por edhe nga ajo që nuk ndodhi më pas. Nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën. Përpjekje këto që vazhdojnë në Serbi. Drejtësia për Reçakun ende mbetet peng, andaj nuk do të reshtim asnjëherë së kërkuari atë. Pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme. Pa drejtësi nuk ka pajtim të vërtetë”, tha ajo.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë.
“Masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Sllobodan Millosheviqit, që synonte shuarjen e popullit tonë me çdo kusht. Qoftë një tragjedi që nuk përsëritet në historinë tonë, por për herë të parë ajo mori vëmendjen e të gjithë botës. Reçaku ishte pika e kthesës dhe fillimi i fundit të atij shovinizmi të egër. Kjo tragjedi e tmerrshme bëri që bota të zgjohej nga heshtja e gjatë”, theksoi Basha.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë.
Ai shtoi se faktet dhe dëshmitë për masakrën e Reçakut mbeten të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet.
Ai përmendi edhe ngritjen e aktakuzës ndaj 22 personave nga Prokuroria Speciale si dëshmi se drejtësia nuk do të ndalet deri kur kriminelët serbë, përgjegjës për këtë masakër, të arrestohen dhe gjykohen, ndonëse edhe në mungesë.
“Krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë që i kreu, e as nga historia e popullit tonë që i përjetoi me aq shumë dhembje dhe i trashëgoi me kaq shumë vuajtje. Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet. Drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik…Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet. Drejtësia nuk ndalet kur kriminelët fshihen në Serbi apo kur strehohen nga shteti atje. Drejtësia ecën përpara, pasi shteti i Kosovës nuk harron kurrë”, theksoi Kurti.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se masakra e Reçakut është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim nga shteti gjenocidal serb.
“Reçaku është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim. Reçaku është dëshmi dhe mbetet plagë që nuk shërohet dhe krenari që nuk shuhet. Reçaku është kujtesë e përhershme se liria jonë ka qenë dhe është paguar me jetën e njerëzve të pafajshëm. Drejtësia për viktimat e Reçakut ende mungon, megjithëse më 30 dhjetor Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë edhe shumë të tjerë të përfshirë, përfshirë edhe krerët e shtetit serb, të vihen para drejtësisë”, deklaroi Aliu.
Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Aty u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq.
Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriut i cili për herë të parë masakrën në këtë fshat e cilësoi krim kundër njerëzimit. Ai asokohe ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.
Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.



