Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar një strategji për zgjerim të Bashkimit Evropian. Në të thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj sfidave gjeopolitike. Sipas dokumentit të miratuar, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, dhe do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike. Autori i dokumentit tha se marrë parasysh sfidat, modeli i integrimit duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e BE-së dhe pritjet nga vendet kandidate.
“Tani është koha të zbatojmë dhe demonstrojmë vlerat evropiane. Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në”, deklaroi Petras Austrevicius, Eurodeputet.
Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan. Para votimit të këtij raporti Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, tha se BE-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund t’i minojnë fshehurazi vlerat ose institucionet e BE-së.
“Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”, tha Marta Kos, Komisionere për Zgjerim.
Bashkimi Evropian është zgjeruar herën e fundit më 2013, me pranimin e Kroacisë.



