Librazhd, 7 mars – Pas inspektimit të aksit rrugor Librazhd–Prrenjas, tashmë i stabilizuar dhe me qarkullim normal për të gjitha mjetet, përfshirë edhe tonazhin e rëndë, kreu i qeverisë Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e zonës.
Gjatë takimit me banorët, kryeministri u ndal edhe te rëndësia strategjike e Korridori VIII për Shqipërinë dhe rajonin, duke theksuar se përfshirja e tij në rrjetin e korridoreve evropiane ka ardhur pas një pune të gjatë diplomatike.
Rama u shpreh se për një kohë të gjatë ky korridor ishte konsideruar strategjik nga Shqipëria, por nuk ishte pranuar si i tillë nga Bashkimi Evropian, pasi disa vende anëtare nuk e mbështesnin përfshirjen e tij në rrjetin zyrtar të korridoreve evropiane. Sipas tij, vetëm përmes përpjekjeve dhe këmbënguljes së diplomacisë shqiptare u arrit që ky projekt të njihej në nivel evropian.
“Korridori VIII është deklaruar prej kohësh strategjik për vendin tonë, por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor evropian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE-së e dëshironin këtë korridor. Ka pasur gjithmonë refuzim për ta përfshirë në korridoret evropiane, sepse përfshirja i jep një korridori vlerën e një aseti të Bashkimit Evropian dhe e bën atë të financueshëm nga fondet evropiane,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se falë përpjekjeve të qeverisë shqiptare, korridori u përfshi në rrjetin evropian gjatë një samiti të zhvilluar në Tiranë disa vite më parë, duke marrë kështu një status të ri strategjik.
“Duke qenë një aset i BE-së korridori bëhet edhe i financueshëm nga fondet evropiane. Faktiksht ka qenë puna jonë, ka qenë diplomacia jonë, këmbëngulja që në Samitin e zhvilluar në Tiranë disa vite më parë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ky korridor u fut në rrjetin evropian të korridoreve. Natyrisht që duke u bërë kjo jo vetëm u kuptua natyra strategjike por edhe u vulos rëndësiaa strategjike. Korridori VIII është përfshirë edhe në korridoret e lëvizjes së forcave ushtarake të NATO-s”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, rëndësia e këtij projekti është rritur edhe më tej pasi korridori tashmë është përfshirë edhe në rrjetin e lëvizjes së forcave ushtarake të NATO, çka e bën atë një infrastrukturë me rëndësi të veçantë jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike për sigurinë në rajon.



