Korridori VIII konsiderohet jetik për Strugën, qytetarët kërkojnë nisjen e punimeve

 

Në Strugë u mbajt një takim konsultativ lidhur me pasojat e mundshme të ndërtimit të Korridorit VIII në segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë. Në këtë debat publik morën pjesë përfaqësues nga NP “Rrugë Shtetërore”, kompania Behtel Enka, si dhe Instituti Sociologjik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, së bashku me përfaqësues të bashkësive lokale dhe qytetarë të Strugës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Komunës së Strugës ritheksuan qëndrimin e tyre të prerë në mbështetje të realizimit të Korridorit VIII. Ata bënë të ditur se vetëm një javë më parë, Komuna ka dorëzuar mendim pozitiv dhe sqarime për ndërtimin e këtij projekti në territorin e saj.

Në kuadër të diskutimit, përfaqësuesit e Komunës parashtruan dy pyetje kryesore për kompaninë realizuese: nëse ekziston kontratë për segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë dhe nëse ajo ka afate të përcaktuara, si dhe nëse ekziston mundësia për ndryshim të destinimit të kontratës. Nga përfaqësuesit e pranishëm u konfirmua se ekziston kontratë e afatizuar mes palëve, ndërsa për mundësinë e ndryshimeve nuk u dha përgjigje konkrete, për shkak të mungesës së informacionit.

Interesimi i qytetarëve për këtë debat ishte i lartë, ndërsa qëndrimi i tyre u vlerësua si i qartë: nuk ka pengesa nga aspekti qytetar për realizimin e këtij projekti me rëndësi rajonale dhe ndërkombëtare. Diskutimet u fokusuan kryesisht në çështje që lidhen me trashëgiminë kulturore, fetare dhe shpirtërore, me pyetjen kryesore nëse projekti mund të ndikojë negativisht në këto vlera.

Megjithatë, në përgjithësi u theksua se nga perspektiva lokale, ndërtimi i Korridorit VIII nuk përbën kërcënim për trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike të Strugës, por përkundrazi mund të kontribuojë në gjallërimin dhe zhvillimin e saj.

U theksua gjithashtu se, nëse ekziston kontratë e afatizuar, pritet që punimet të nisin sa më shpejt, duke pasur parasysh rëndësinë jetike të këtij projekti për zhvillimin afatgjatë dhe për gjeneratat e ardhshme.

Takimi përfundoi me dakordim që diskutimet të vazhdojnë në një fazë të dytë, në një format më të organizuar dhe gjithëpërfshirës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit