16.8 C
Skopje
Monday, November 17, 2025

Konventa për kryetarin e ri të PDK’së nisë sot në ora 16:30

Konventa për kryetarin e ri të PDK’së nisë sot në ora 16:30

Sot do të mbahet konventa e Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë së cilët pritet të votohet kryetari i ri. Konventa do të nisë në ora 16:30 në hotel “Emerald” në Prishtinë.

“Partia Demokratike e Kosovës mban sot Konventën e dymbëdhjetë Zgjedhore. Vendi: Hotel Emerald. Koha: 16:30.”

Deri tani, kandidaturën e ka shpallur ish ministri dhe ish kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza.

“Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend. Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.”

Ai ka shprehur falënderim për Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqi për, sic tha ai, “udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash”.

Por edhe Hoxhaj po planifikon të kandidojë për të parin e PDK’së, veçse ai ka kërkuar shtyrjen për së paku një javë të Konventës së PDK’së.

“Konventa e ardhshme nuk është një konventë ku unë garoj për karrigen e kryetarit. Unë po ftoj kryesinë e PDK-së që të ma japë të drejtën që të marr besimin e delegatëve, që të ketë një proces politik, që të ketë një javë më shumë. Çka ndryshon një javë më shumë: që të ketë debat politik, që të ketë prezantim të platformave”, tha Hoxhaj në Rubikon.

Kryetari i deritanishëm, Memli Krasniqi, dha dorëheqje më 12 tetor pas mbledhjes së kryesisë.

“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë”, tha Krasniqi.

“Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, shtoi ai.

Në konferencën e së mërkurës, Krasniqi tha se nuk e di se kush do të garojë për kryetar të partisë në Konventën e së hënës, por shtoi se do ta mbështesë Hamzën nëse ai garon.

“Preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fshehi, përkundrazi me kënaqësi e bëj publike”, tha ai.

Derisa Krasniqi qe kryetar, PDK doli e dyta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke i fituar 24 ulëse, me Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.

Ndërsa në zgjedhjet lokale PDK pësoi një rënie të vogël në krahasim me zgjedhjet paraprake, pasi i fitoi gjashtë komuna.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit