Ali Ahmeti nuk do të lëshojë karrigen e kreut të partisë, pavarësisht rezultateve të dobëta që ky subjekt po shënon në ciklet e fundit zgjedhore. Në kongresin e BDI-së që pritet të mbahet më 20 dhjetor ndryshimet e vetme që priten të ndodhin janë tek Këshilli i Përgjithshëm. Nënkryetari i integristëve Arbër Ademi tha se në kongres do të ketë vendime të përgjegjshme konform kërkesave të opinionit.
“Në këtë kongres sigurisht se do të kemi rizgjedhje të zotit Ali Ahmeti për kryetarë të partisë, sigurisht se do të kemi zgjedhje edhe të anëtarëve të këshillit të përgjithshëm, e pastaj zgjedhjet tjera do të burojnë nga organet e tjera, nga këshilli i përgjithshëm do të zgjedhjet kryesia e këshillit të përgjithshëm. Në bashkimin demokratik për integrim ka shumë njerëz të cilët kanë lënë gjurmë të rëndësishme jo vetëm brenda partisë por në të gjitha proceset”, deklaroi Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.





