Një shoqatë islamike shqiptare ka nisur planifikimet për ndërtimin e një xhamie të madhe në qytetin e St. Gallen, një projekt që pritet të kushtojë deri në 15 milionë franga zvicerane.
Në fund të qershorit 2025, rreth 30 shqiptarë u mblodhën në Fürstenlandstrasse për të diskutuar planet e ndërtimit dhe procesin e lejeve.
Pas takimit, ata postuan në Facebook: “Allahu na ndihmoftë që ndërtimi i xhamisë sonë të re të jetë sa më i lehtë.” Nismëtarët ende nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për ndërtim dhe nuk kanë dhënë detaje shtesë për projektin.Planet vizualizojnë një ndërtesë prej 1000 metrash katrorë me kupolë qelqi, e projektuar nga arkitekti shqiptar nga Schlieren, Cyrih, i cili ka dizajnuar edhe xhaminë shqiptare në Winterthur-Töss.
Salla e lutjeve do të ofrojë hapësirë për qindra besimtarë dhe do të përfshijë gjithashtu hapësira tregtare dhe një kafene të hapur edhe për jo-muslimanët, raporton Blick.
Shoqata pritet të financojë projektin kryesisht përmes donacioneve.



