13.8 C
Skopje
Saturday, October 4, 2025

Komunat të zhytura në borxhe kurse ndërmarrjet komunale nuk mbledhin as 30% të pagesave që u detyrohen qytetarët

Mandate të reja në komuna me borxhe të vjetra. Komunat kanë një borxh prej 64.7 milion euro, i cili pengon funksionimin normal të tyre. Profesori Ali Maksuti thotë se borxhet vijnë në radhë të parë nga kontratat në vepër për punësime të përkohshme.

“Në fillim çdo kandidat orientohet në pikën se do të ulen borxhet, por kur futet në menaxhimin e komunës, borxhi vazhdon dhe rritet. Gjëja e parë që bëjnë janë kontratat në vepër dhe kontratat e përkohshme. Kjo është një gjë që duhet cilado parti, cilado strukturë politike ose cilido kandidat të fitojë, të orientohet te minimizimi i kontratave të përkohshme ose kontratave që janë më tepër për të krijuar klientelizëm dhe elektorat sesa për nevojat e administratës brenda komunave”, tha Ali Maksuti, profesor.

Analiza e Portalb tregoi se në listën e borxhlinjve të Ministrisë së Financave, Komuna e Gostivarit është e para me gati 11,3 milionë eurosh, Komuna e Tetovës me 9,5 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë me një borxh prej 5.5 milionë eurosh është Qyteti i Shkupit. Kavadari, Dellçeva dhe Zhelina janë në radhë në listë.
Maksuti thotë se përgjegjësia sigurisht që bie mbi drejtuesit e komunave.

“Përgjegjësia është e menaxhmentit të komunës, që nga kryetarët, stafi, këshilltarët që kryetarët e komunave i kanë rreth vetes. D.m.th. përgjegjësia është lokale dhe qeveria nuk ka drejtpërdrejt impakt te krerët e komunave. Ne kemi dëgjuar kohë pas kohe kur qeveritë e ndryshme më herët, Ministrat e Financave kanë ndarë mjete për disa komuna për zhvillim rural por nga ana tjetër ata mjete nuk janë destinuar për projekte konkrete ose për projekte kapitale”, shtoi ai.

Ndërmarrjet komunale vazhdojnë të kryesojnë listën e borxhlinjve. Deri në fund të gjysmës së parë të këtij viti, borxhi i ndërmarrjeve publike komunale arriti në 107,601,000 euro. Me një borxh prej 14,5 milionë eurosh, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup kryeson listën e ndërmarrjeve të zhytura në borxhe. Në vendin e dytë është NP “Ujësjellësi” – Kumanovë me gati 12 milionë eurosh, kurse në vendin e tretë është “NQP” – Shkup me 9,9 milionë euro. Problemi kryesorë, qytetarët vazhdojnë të mos paguajnë faturat dhe të shlyejnë detyrimet ndaj këtyre ndërmarrjeve.

“E para është efikasiteti i menaxhmentit. Ka metoda dhe mënyra të cilat mund të jenë efikase, të cilat mund t’i aplikojnë komunat për realizimin e pagesave që qytetarët t’i bëjnë pagesat në kohë. Në drejtoritë komunale që gjenerojnë të hyra nëpërmjet faturave si pastërtia publike, uji, 25 deri 32% e qytetarëve i paguajnë faturat e tyre, që d.m.th. se 70% e qytetarëve nuk i bëjnë pagesat. Komunat duhet të hartojnë një strategji për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për pagesat e tyre por pjesa tjetër është përdorimi i instrumenteve dhe mekanizmave juridikë me të cilat do të detyrohen qytetarët, si në çdo shtet të zhvilluar”, theksoi Ali Maksuti, profesor.

Maksuti thotë se jo secili borxh është negative dhe komunat duhet të orientohen te borxhet ose huamarrjet që gjenerojnë të ardhura./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit