17.8 C
Skopje
Monday, November 3, 2025

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi kalendarin për zgjedhjet lokale, rrethi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e miratoi kalendarin e veprimeve për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Rrethi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor. Nënkryetari i KSHZ-së Abdush Demiri, theksoi se prej 23 gushtit fillohet me shikimin publik të listës zgjedhore i cili do të zgjatë për 20 ditë.

“Shikimi publik fillon më 23 gusht dhe zgjatë deri më 11 shtator ora 24. Qytetarët kërkesën për regjistrim plotësim ose shlyerjen e të dhënave në ekstraktet e Listës Zgjedhore që është e vendosur në shikim publik e dorëzojnë me shkrim në njësinë rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ose zyrën lokale në rajonet ku banojnë ose me postë elektronike te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Kërkesës ia bashkëngjitin edhe provat e nevojshme”, tha Abdush Demiri, nënkryetar i KSHZ-së.

Sipas kalendarit, fushata zgjedhore fillon zyrtarisht më 29 shtator.

“Listat e kandidatëve dorëzohen më së voni deri te Komisionet Komunale Zgjedhore më 13 shtator deri ora 24. Domethënë, 35 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. Fushata zgjedhore për rrethin e parë fillon më 29 shtator dhe përfundon më 17 tetor, kurse fushata për rrethin e dytë nga 20 tetor deri më 31 tetor”, shtoi Abdush Demiri, nënkryetar i KSHZ-së.
Për këto zgjedhje shteti ka ndarë rreth 10 milionë euro. Në zgjedhjet lokale, qytetarët nëpërmjet dy rretheve zgjedhore në 80 njësi të vetëqeverisjes lokale dhe Qytetin e Shkupit, do të zgjedhin kryetarët dhe këshillat që do të udhëheqin me komunat në katër vitet e ardhshme./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit