Drejtoresha e Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC), Elira Kokona, deklaroi se konkurset ndërkombëtare të zhvilluara nga AIC po japin rezultate konkrete, duke reflektuar një vizion të qartë zhvillimi dhe një impakt të drejtpërdrejtë ekonomik.
Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë për Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve & Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore”, Kokona u shpreh se viti ka nisur me punë të përfunduara dhe projekte të avancuara, të cilat dëshmojnë se modelet e konkurrimit të ndjekura nga AIC synojnë ndërtimin e marrëdhënieve të besueshme dhe fitimprurëse mes sektorit publik, atij privat dhe komunitetit.
“Kam kënaqësinë të nisim këtë vit me rezultate të qarta dhe punë të kryera, që tregojnë se konkurset tona janë vizion zhvillimi me impakt ekonomik, duke krijuar marrëdhënie të besueshme dhe fitimprurëse mes partnerëve publikë, privatë dhe komunitetit,” tha Kokona.
Ajo theksoi se infrastrukturat publike të nevojshme janë tashmë të garantuara, çka e bën të realizueshme shndërrimin e koncepteve dhe ideve arkitekturore në projekte konkrete, të qëndrueshme dhe rezistente në kohë.
Sipas drejtoreshës së AIC, fazat e projekteve janë aktualisht në një stad të avancuar, ndërsa shtatë objekte ndërtimore janë gati për të marrë lejen e ndërtimit.
Kokona bëri të ditur se stadiumi i ri i Tiranës, Biblioteka e re Kombëtare, ambientet e reja të punës për 13 institucione publike, si dhe Pallati i Sportit, janë projekte të përfunduara brenda një viti, të cilat përfaqësojnë investime të qëndrueshme, të financuara dhe të garantuara.
Në vijim, ajo informoi se puna e AIC po vazhdon me fazën e negociimit për ndërtimin e dy hoteleve me pesë yje në Vlorë dhe Velipojë, projekte për të cilat pritet të nisë paralelisht edhe faza e aplikimit për lejet përkatëse të ndërtimit.
Sipas Kokonës, këto projekte përbëjnë një komponent të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit, duke kontribuar në rritjen e investimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.



