Ministria e Shëndetësisë ka ulur çmimin maksimal për 156 barna origjinale, 174 barna gjenerike dhe 13 barna nga importi ndërhyrës.
Ky vendim është përshëndetur nga drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski, sipas të cilit, vendimi do të mundësojë që qytetarët të furnizohen me ilaçe me çmim më të lirë.
“Me uljen e çmimit maksimal do të ulen çmimet e atyre ilaçeve që nuk janë në listën pozitive, ndërsa nëse ato ilaçe janë në listën pozitive dhe ka dallim ndërmjet çmimit referent dhe atij maksimal do të ulet pagesa shtesë, por zakonisht çmimet referente janë më të ulëta se ato maksimale. Ka mundësi që me këtë vendim të ulen pagesat për ilaçet në listën pozitive apo të mos ketë fare pagesë.”, tha Klekovski.
I pyetur rreth asaj se pse në shtetet fqinje disa ilaçe shiten më lirë se në Maqedoninë e Veriut, Klekovski me përgjigje se çmimet i dikton rregullativa ligjore dhe sasia e shitur.
“Gjithmonë shpreh rezervë për çmimet e ilaçeve në Kosovë, sepse rregullativa ligjore dhe ruajtja e ilaçeve në Kosovë është më ndryshe e vendosur, sepse vet paketimi dëshmon se shiten në pako origjinale pa regjistrime adekuate. Në Serbi dallimi kryesor është qasja e tyre ndaj listës pozitive, e cila është shumë më e madhe se ajo në Maqedoni dhe duke e pasur parasysh edhe dallimin në numrin e popullsisë, e cila është e madhe. Në Maqedoni vitin e kaluar ka pasur shitje prej 55 milionë eurosh, ndërsa në Serbi 425 milionë euro.”, theksoi Klekovski.
Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për uljen e çmimit maksimal të ilaçeve, çmimet e reja do të fillojnë të zbatohen nga 1 maji i këtij viti.



