Kisha e Marmiroit, në Orikum është një objekt fetar i shpallur Monument Kulture.
Çdokush që viziton Vlorën, Orikumin e zonën përreth, ia vlen të ndalet edhe tek ky objekt i trashëgimisë kulturore.
Vizita në këtë kishë të veçantë, përmbledh elementet e detit, maleve dhe qetësisë përreth.
Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar të marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik. Nuk ka dyshim që kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine diku rreth shekullit të XII.
Kisha është e tipit kryq i lirë me kupolë. Pjesë të tjera të saj janë edhe narteksi dhe tamburi cilindrik. Ndoshta kjo kapelë ka shërbyer si model për ndërtimin e kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Zvërnecit. Ajo përbëhet nga 3 hyrje, të cilat i korrespondojnë drejtimeve të veriut, jugut dhe perëndimit. Në anën lindore ndodhet absida e kishës, e cila ndriçohet nga një dritare e vogël.