10.8 C
Skopje
Tuesday, November 4, 2025

Kina nis stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, quan presidentin e vendit “parazit”

Kina filloi të martën stërvitje të përbashkëta të ushtrisë, marinës dhe forcave raketore rreth Tajvanit si një “paralajmërim i ashpër kundër separatizmit” dhe e quajti presidentin tajvanez, Lai Ching-te, një “parazit”.

Ndërkohë, Tajvani dërgoi anijet e veta luftarake për t’iu përgjigjur marinës kineze që iu afrua brigjeve.

Stërvitjet përreth ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e sheh si territorin e saj, vijnë pasi muajin e kaluar Lai e quajti Pekinin një “fuqi e huaj armiqësore”.

Kina e konsideron Lain si një “separatist” dhe, në një video që shoqëronte njoftimin për stërvitjet, ai u paraqit si një insekt i mbajtur nga një palë shkopinj të ngrënies mbi një Tajvan në flakë, duke e quajtur atë në anglisht “një parazit”.

“Fokusi është në ushtrime si patrullat e gatishmërisë luftarake në det dhe në ajër, marrja e kontrollit të gjithanshëm, goditja e objektivave detare dhe tokësorë, si dhe vendosja e kontrolleve bllokuese në zona dhe rrugë kyçe”, tha Komanda e Teatrit Lindor në një deklaratë.

Qeveria e Tajvanit i dënoi stërvitjet, me zyrën presidenciale që tha se Kina ishte “e njohur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si një burim problemesh” dhe se qeveria ka besimin dhe aftësinë për t’u mbrojtur vetë.

Qeveria tajvaneze i hodhi poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet, duke thënë se vetëm populli i ishullit mund të vendosë për të ardhmen e tij.

Dy zyrtarë të lartë të Tajvanit i thanë Reuters se më shumë se dhjetë anije ushtarake kineze iu afruan zonës së afërt të Tajvanit dhe se Tajvani dërgoi anijet e veta luftarake për të reaguar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit