Procesi arsimor me një ndërrim mbetet një nga synimet kryesore për të rritur cilësinë e mësimdhënies, por për shumë shkolla në kryeqytet, kjo mbetet vetëm një dëshirë në letër. Ekspertët dhe drejtuesit e shkollave thonë se mësimi paradite rrit përqendrimin dhe u lë hapësirë fëmijëve për aktivitete jashtëshkollore. Në komunën e Çairit, shkolla fillore “Imri Elezi” numëron mbi 900 nxënës ndërsa kalimi në një ndërrim është pothuajse i pamundur për momentin.
“Shumë është e rëndësishme dhe shumë është efektive pasi që çdo punë ne që e kryejmë, kur e kryejmë punën në mëngjes, paradite çdo herë është puna më e suksesshme se sa pasdite. Pas disa aktiviteteve ne lodhemi dhe nuk e kemi përqendrim në nivel ndërsa bëhet fjalë për nxënës të cilët me të vërtet kanë nevojë, Atëherë do të shkarkohemi nga ai sistemi në ora 7 e 30 të fillojmë, do të fillojmë në ora 8 ose 8 e 30. Pasdite mund të jenë të lirë për lloje të ndryshme të aktiviteteve, për ndjekjen e kurseve të ndryshme,” tha Lulzime Islami, drejtoreshë e sh.f “Imri Elezi”, Komuna Çair.
Përveç cilësisë në mësim, modeli me një ndërrim shihet edhe si një mundësi për efikasitet ekonomik. Në komunën e Aerodromit, shkolla fillore “Luben Llape” ka 1400 nxënës ndërkohë që objekti ka kapacitet për 800 nxënës. Pavarësisht që drejtuesit e komunës kanë paralajmëruar ndërtimin e disa klasave të reja, mësimi në një ndërrim do të mbetet i pazbatueshëm.
“Nëse e shohim ne si menaxherë të shkollave, është shumë më mirë sepse do të ulen shpenzimet e energjisë elektrike, të ngrohjes qendrore dhe të shërbimeve komunale. E gjithë kjo sjell punë pozitive, mirëpo po ju them, në shkolla kaq të mëdha kjo është shumë e vështirë pasi, që të vendoset një mësim i tillë me një ndërrim, kjo shkollë duhet të ndërtojë të paktën edhe 30 klasa të tjera. Do të kemi një mbindërtim me disa klasa, dhe atë në atë pjesë të shkollës që është vetëm në katin përdhes. Me këtë do të na lehtësohej shumë puna sepse do të kishim ku t’i vendosnim nxënësit që mësojnë deri tani në shkollë, mirëpo kjo nuk do të mundësojë punën me një ndërrim; sërish do të jetë me dy ndërrime,” deklaroi Fonika Stanoeva, drejtore e sh,f “Luben Lape”, Komuna Aerodrom.
Sipas dikasterit të Arsimit, vitin e kaluar mësimi me një ndërrim është zbatuar në 150 shkolla, ndërsa këtë vit pritet të përfshihen mbi 200 shkolla. /alsat.mk



