Shkup, 3 dhjetor – Këshilli Gjyqësor do t’i dorëzojë Ministrisë së Financave kërkesë për 300 punësime, për të plotësuar vendet e lira dhe për t’u mundësuar gjykatave në të gjithë vendin të funksionojnë normalisht dhe me efikasitet.
Për këtë informoi kreu i këshillit, Aleksandar Kambovski, pasi kryeministri Mickoski i ftoi Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve të paraqesin lista dhe të specifikojnë nevojat e tyre.
“Gjatë kësaj periudhe kemi pasur takime me të gjitha gjykatat në shtet dhe u përpoqëm që në planin e punësimit të përfshijmë minimumin e burimeve njerëzore që janë të domosdoshme. Pra, jo të dilet me kërkesa maksimaliste, por me minimumin e burimeve njerëzore që aktualisht nevojiten, që gjykatat të mund të funksionojnë në një nivel minimalisht të kënaqshëm. Dallimi do të vijë si shtesë me personat që do të punësohen; nëse janë 300 persona, atëherë për 300 persona shtesë me bruto pagë sa del saktësisht, nuk mundem të them.”, – deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Qeveria dhe këshilli janë në mospërputhje edhe për pagat e gjyqtarëve. Kambovski thotë se një gjyqtar i shkallës së parë paguhet 86 mijë denarë, ndërsa në Gjykatën Supreme 105 mijë.
Paga më e lartë vitin e kaluar ka qenë 139 mijë denarë. Nga Ministria e Drejtësisë përgjigjen se pagat nuk janë të ulëta, duke marrë parasysh standardin dhe besimin e ulët në gjyqësor.
“Interesante është se pjesa më e madhe e mjeteve nga buxheti gjyqësor shpenzohen për paga. Gjyqtarët në RMV nga viti 2021 deri më sot kanë pasur rritje të dyfishtë të pagave të tyre, të cilat tashmë janë sipas standardeve evropiane. Për shembull, në Gjermani pagat e gjyqtarëve janë 0.8 për qind mbi pagën mesatare, ndërsa besimi në gjyqësor është mbi 58 për qind.”, – theksoi zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban.
Megjithatë, nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se ekzistojnë instrumente ligjore që i mundësojnë Këshillit Gjyqësor të ankohet nëse nuk është i kënaqur me buxhetin e miratuar, por shtojnë se deri më tani Këshilli asnjëherë nuk është ankuar zyrtarisht se i janë aprovuar pak mjete.





