Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim që Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Integrimeve Evropiane, të kompensojnë shumën prej 623,933.92 euro ndaj Klinikës private “EuroMed Group” SH.P.K. për trajtimin afatgjatë të një pacienteje me inicialet L.G., e cila ishte e hospitalizuar në këtë klinikë në periudhën 11 prill 2009 – 13 gusht 2019, raporton Periskopi.
Vendimi u mor nga Gjyqtarja Verona Dibra e Dhomës së Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Ekonomike, pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor dhe publik më 18 nëntor 2024, ku u prezantuan përfaqësuesit ligjorë të të dyja palëve.
Rasti dhe rrjedha gjyqësore
Rasti kishte filluar më 4 gusht 2015, kur Klinika “EuroMed Group” paditi institucionet shtetërore për mospërmbushje të detyrimeve financiare që lidhen me trajtimin mjekësor të pacientes L.G., e cila kishte pasur komplikime pas një vaksine dhe ishte hospitalizuar për më shumë se dhjetë vjet. Në padi, klinika kishte kërkuar që institucionet shtetërore të detyrohen të kryejnë pagesat për shërbimet mjekësore të ofruara ndaj pacientes, duke argumentuar se trajtimi i saj ishte bërë me kërkesë dhe njohuri të autoriteteve shtetërore, për shkak të pamundësisë së sistemit publik për ta trajtuar rastin.
Fillimisht, klinika kishte kërkuar edhe zhvendosjen e pacientes nga “EuroMed” në Klinikën Infektive të QKUK-së, por më vonë kjo pjesë e padisë ishte tërhequr. Në parashtresat pasuese, paditësi kishte precizuar se kërkesat kishin të bënin me kompensimin për begatim pa bazë ligjore, duke argumentuar se shteti kishte përfituar nga shërbimet e klinikës pa i kompensuar ato me kohë.
Vendimi dhe arsyetimi i gjykatës
Gjykata vlerësoi se kërkesa e paditësit ishte pjesërisht e bazuar. Në aktgjykimin e saj të datës 3 janar 2025, gjykata aprovoi kërkesëpadinë në shumë prej 623,933.92 euro, duke urdhëruar institucionet e paditura që këtë shumë ta paguajnë brenda 7 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Kjo shumë i referohet kostove të trajtimit mjekësor të pacientes për më shumë se një dekadë.
Gjykata gjithashtu aprovoi kompensimin për shpenzimet procedurale në shumë prej 5,711.25 euro në favor të paditësit. Ndërsa pjesa tjetër e kërkesëpadisë, në vlerë prej 93,012.72 euro si dhe kërkesa për kamatë ligjore në shumë prej 46,270.51 euro, u refuzuan si të pabazuara. (Periskopi)