Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka prezantuar sot një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të qytetit – vazhdimin e bulevardit “VS Bato”, që do të lidhë Tetovën me fshatin Poroj dhe më tej me autostradën.
Në një deklaratë për mediat, Kasami tha se pushteti i mëparshëm e kishte shndërruar Tetovën në një “katrahurë urbane” me rrugë të dëmtuara dhe infrastrukturë të shkatërruar, ndërsa sot qyteti po përjeton një transformim të plotë falë punës dhe përkushtimit të administratës aktuale.
> “Ju i dhatë fund asaj katrahure me votën tuaj për ndryshim, ndërsa ne ua kthyem me punë dhe përkushtim. Për çdo ditë po punohet intensivisht për transformimin e Tetovës”, – deklaroi Kasami.
Sipas tij, segmenti i ri i bulevardit “VS Bato” do të ketë gjatësi 1.5 kilometra dhe gjerësi 7 metra, me trotuare 2 metra, ndriçim publik dhe dy rrethrrotullime në fillim dhe në fund të trasesë. Ky projekt do të lidhë Porojin dhe Xhepçishtin me autostradën, duke e bërë këtë zonë një qendër të re zhvillimore.
Kasami paralajmëroi edhe pesë projekte të reja bulevardesh që do të realizohen në mandatin e ardhshëm, përfshirë:
Përfundimin e Bulevardit Ilinden nga Posta deri te Stadiumi i Qytetit, që do të hapë qasjen drejt qendrës dhe lagjeve Drenovec e Çentishtë.
Zgjatjen e Bulevardit Bllagoja Toska, nga Stadiumi i Vjetër deri te rruga rajonale Tetovë–Jazhincë.
Vazhdimin e Bulevardit Boris Kidriç deri te Stacioni i Autobusëve.
Zgjatjen e Bulevardit Ilinden nga rrethrrotullimi i UEJL-së deri te mbikalimi për Gostivar.
Përfundimin e aksit të VS Bato drejt Porojit dhe Treboshit.
> “Koha e rrugicave me gropa ka përfunduar. Tetova nuk kthehet më në atë kohë të zymtë. Tetova vazhdon përpara drejt zhvillimit – edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm”, – theksoi Kasami.