14.8 C
Skopje
Thursday, October 9, 2025

Kasami takim me prof. Ibrahim Muratin: Bashkëbisedim për të ardhmen e Tetovës

Kryetari aktual i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe kandidat edhe për një mandat, ka zhvilluar një takim miqësor dhe konstruktiv me prof. Ibrahim Muratin, magjistër i shkencave ekonomike dhe një ndër figurat më të njohura në fushën e arsimit dhe ekonomisë në qytet.

Në këtë takim, u diskutua për zhvillimin e qëndrueshëm të Tetovës, përmirësimin e sistemit arsimor dhe fuqizimin e ekonomisë lokale – tema që, siç u theksua nga Kasami, janë thelbësore për përparimin e qytetit dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Profesor Murati është një prej atyre njerëzve që kontribuojnë në heshtje për të mirën e përbashkët. Është përgjegjësi e jona si udhëheqës që t’i dëgjojmë, t’i vlerësojmë dhe t’i përfshijmë në vizionin tonë për një Tetovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më dinjitoze,” u shpreh kryetari Kasami pas takimit.

Ai theksoi se Tetova ka shumë kapacitete njerëzore dhe profesionistë të zotë, ndaj roli i institucioneve është të krijojnë hapësira dhe mundësi për përfshirjen e tyre aktive në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore.

“Qyteti përparon kur bashkëbisedojmë, bashkëpunojmë dhe i dëgjojmë njerëzit e duhur. Kjo është filozofia që do të vazhdojmë të ndjekim në mandatin e ardhshëm,” theksoi Kasami, i cili është në garë për një mandat të dytë si kryetar i Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit