Kasami propozon që një kompani private të menaxhojë arkëtimin e ujit në Tetovë

Tetovë, 23 mars – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka dalë publikisht me idenë që arkëtimi i faturave të ujit të besohet tek një kompani private. Sipas tij, modeli aktual, ku borxhet u kalohen përmbaruesve, nuk është i qëndrueshëm, sidomos gjatë periudhave zgjedhore kur mospaguesit mund të votojnë kundër pushtetit aktual. Ai e paraqiti këtë qëndrim gjatë një debati publik për studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Fakulteti i Ndërtimtarisë, i cili ofron zgjidhje për problemet kronike me furnizimin me ujë në qytet, transmeton Zhurnal.mk

“Administrata jonë nuk ka kapacitet të mbledhë borxhet siç duhet. Bëhemi objekt politik dhe gjatë fushatave askush nuk do të guxojë t’i detyrojë qytetarët të paguajnë. Nëse përpiqemi, do të kritikohemi se i dërgojmë te përmbaruesit. Zgjidhja është futja e një partneri privat,” deklaroi Kasami.

Të dhënat e komunës janë alarmante: nga 10 milionë metra kub ujë që kalojnë nëpër sistem çdo vit, faturohen vetëm 3 milionë, ndërsa nga ato arkëtohen maksimumi 60%. Rrjeti është i vjetër dhe shpesh pëson defekte, duke lënë qytetin pa ujë të pijshëm, ndërsa komuna nuk ka mjete për modernizim, transmeton Zhurnal.mk

Studimi i fizibilitetit propozon ndërhyrje të plotë: vendosjen e ujëmatësve, kontrollin e konsumit, faturim dhe arkëtim të rregullt të pagesave, me ndihmën e një partneri privat.

Megjithatë, iniciativat qytetare e kundërshtojnë këtë zgjidhje. “Për çdo problem po gjendet zgjidhje me rritje çmimesh. Uji është e drejtë themelore, jo luks,” deklaroi Elmedina Abdullahi nga iniciativa “Për Tetovë më të mirë”. Ajo paralajmëron se dhënia e ujit në duar private mund të nënkuptojë kosto më të larta për qytetarët, pavarësisht nëse kjo është e arsyeshme, transmeton Zhurnal.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit