Kryetari i Tetovës, njëherësh njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, nga Zhelina ka theksuar se kjo forcë politike është garancia e ndryshimit dhe qeverisjes së ndershme.
“VLEN është forca që nuk ndalet!”, ka deklaruar Kasami, duke shtuar se në Zhelinë është hapur shtabi zgjedhor me kandidatin për kryetar, Blerim Sejdiun.
Ai e vlerësoi Sejdiun si “njeriun që për tetë vite rresht nuk është dorëzuar asnjëherë, pavarësisht pengesave, pavarësisht presioneve dhe pazarëve të ulëta të klaneve politike. Ai është i vetmi kandidat që gjithmonë ka luftuar për qytetarët, edhe atëherë kur të tjerët i shitnin interesat e Zhelinës për karrige personale”.
Kasami theksoi se ky angazhim nuk është vetëm fillim i një fushate, por vazhdim i shumë punëve të nisura.
“Zhelina nuk meriton mashtrime dhe premtime të pambajtura, Zhelina meriton zhvillim, transparencë dhe një udhëheqje që nuk shitet! VLEN është garancia që ndryshimi nuk ndalet!”, ka shtuar ai.
Në fund, Kasami u shpreh i bindur se “me fuqinë e qytetarëve, me guximin e Blerim Sejdiut dhe me vizionin tonë të pastër, ne do të fitojmë këtu dhe kudo. Bashkë me Blerimin, Zhelina do të bëhet shembull i qeverisjes së ndershme dhe të pathyeshme”.