Kryetari i Komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, nga tubimi qendror i VLEN-it në Tearcë u bëri thirrje shqiptarëve gjithandej që ta votojnë numrin 7 për t’i zgjidhur problemet në kompetencë të komunës, të pazgjidhura për dy dekada. Ai tha se VLEN-i është opsioni i vetëm që garon me program për komunat, ndërsa kundërshtarët i shohin zgjedhjet lokale si trampolinë për ta marrë pushtetin qendror.
“VLEN ju premton zgjidhje për problemet tuaja. Nuk kërkojmë votën tuaj për të ardhur në pushtetin qendror. Do të vijnë zgjedhjet parlamentare dhe do të garojmë për Qeveri. Ne kërkojmë votën tuaj që Dauti t’i zgjidhur problemet tuaja. Ne kërkojmë votën tuaj që edhe Komuna e Tearcës, krah për krah Komunës së Tetovës, të zgjidh probleme të përditshmërisë që kanë të bëjnë me ujin, kanalizimin, mbeturinat, rrugët, shkollat, çerdhet”, tha Kasami.
Kasami tha se Tearca me Daut Memishin në krye do ta ketë edhe përkrahjen e Komunës së Tetovës, për bashkëpunim në projekte të përbashkëta.
“Unë mund të ju garantoj vetëm një gjë. Unë si kryetar i Komunës së Tetovës ia kam zgjatur dorën e bashkëpunimit kryetarit të Komunës së Tearcës, por kurrë nuk ka pasur gatishmëri bashkëpunimi. Pra, Komunën e Tetovës do ta keni në krah pas 19 tetorit, bashkë me Dautin, me Lavdërimin”, deklaroi Kasami.