Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami pas dorëheqjeve të disa funksionarëve qeveritarë nga radhët e Aleancës prë shqiptarët (ASH), theksoi se bëhet fjalë vetëm për disa individë, prëderisa të tjerët do të vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë dhe partisë së sapoformuar “Vlen”. Në pyetjen e gazetarëve se si do të veprohet pasi që u formuan tre krahë të Aleancës për shqiptarët, Kasami tha se ajo parti është një e cila është pjesë e koalicionit “Vlen” dhe në të ardhmen do të jetë pjesë e partisë së përbashkët me të njejtin emër.
“Një është Aleancë për shqiptarët, ajo që është pjesë e koalicionit ‘Vlen’, ka procedura nga aspekti juridik të cilat janë në procedurë ligjore. Ne shpresojmë se kjo do të përfundojë shpejtë në interes të Aleancës për shqiptarët, të them, të vërtetës. Por, për ne me rëndësi është ku janë votuesit e ASH-së, ndërsa votuesit e Aleancës për shqiptarët janë si pjesë e ‘Vlen’-it sepse ishin faktor i rëndësishëm në fitoren në zgjedhjet parlamentare. Nga aspekti formal, tashmë është sjellë vendimi që ‘Vlen’-i të bëhet parti politike dhe subjekt politik. Kështu që për ne është shumë më pak e rëndësishme, a i kanë vulat apo jo, për ne është me rëndësi votuesit e Aleancës për shqiptarët të jenë atje ku ishin në zgjedhjet e fundit parlamentare”, tha Bilall Kasami në ngjarjen në Tetovë, ku ishte në cilësinë e kryetarit të komunës.