Në qendrat e kontrollit teknik vërehen ende radhë të gjata të qytetarëve. Ata janë të detyruar të ndërrojnë lejet e qarkullimit të automjeteve por edhe ti vendosin ngjitësit NMK në targat e makinave. Por, asgjë nuk është falas!
Disa shprehen të revoltuar sepse ndryshimet ligjore që u miratuan në Kuvend, iu mundësojnë qytetarëve këtë shërbim pa pagesë. Por në pikat e kontrolleve teknike thonë se akoma nuk kanë marrë shkresën zyrtare për këto ndryshime duke shfrytëzuar rastin të përfitojnë në këtë vakum.
“Edhe pse me ndryshimet e fundit ligjore, qytetarët nuk janë të detyruar të paguajnë për ndërrimin e lejeve të qarkullimit me emrin e ri të shtetit, në ditën e tretë pas hyrjes në fuqi të këtij ndryshimi ligjor qytetarët akoma paguajnë mbi 1 mijë denarë për ndryshimin e vetëm të këtij dokumenti”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.
“A e dini se me ndryshimet ligjore është pa pagesë ndërrimi i lejeve të qarkullimit? Nuk e paskam ditur që është pa pagesë! A në rastet kur të jetë mbushur ekzemplari, e paguajmë apo shkon sërish pa pagesë!?”, tha një qytetar.