15.8 C
Skopje
Saturday, November 8, 2025

Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit, Orce Gjeorgjievski: Prioritet kam higjienën dhe transportin

Z.Gjeorgjievski mirëdita. Zyrtarisht jeni kandidat për kryetar i Qytetit të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së. A mund të na i thoni top prioritetet tuaja për menaxhim si kryetar i ardhshëm i Qytetit të Shkupit?

“Unë fillova me procedurën për krijimin e një programi bashkë me qytetarët nga kryeqyteti duke i vizituar pothuajse të gjitha komunat dhe në periudhën në vijim do të vazhdojnë ato takime. Gjithsesi do të kem takime edhe me sektorin joqeveritar, me shoqërinë e biznesit sot kisha e kështu me radhë. Sipas meje programi duhet të krijohet nga shumica e qytetarëve sepse në fund të ditës unë nesër duhet të menaxhoj me qytetin bashkë me qytetarët dhe t’i zgjidhë problemet e tyre shumë dekadëshe. Nëse i ndajmë prioritetet në qytet, kemi prioritete të cilat do të duhet menjëherë t’i zgjidhim, pra probleme shumë vjeçare. Këtu patjetër duhet të përmendim gjendjen e keqe në Higjienën Komunale, Ndërmarjen e Transportit Publik (NQP Shkup), angazhimin jo të mjaftueshëm të “Lajka” si institucion, duke mos e kryer mjaftueshëm mirë punën e kështu me radhë. Unë jam i vetëdijshëm se gjendja është e devastuar tek ndërmarrjet publike për momentin. Prioriteti i parë do të ishte ri organizimi i ndërmarrjeve publike e nga ana tjetër do të ketë projekte të cilat kanë filluar para disa viteve si bulevare, ura dhe gjithçka tjetër. Këto do të jenë sfidat e mia në fillim si projekte për përfundim. Unë nuk do të jem si të tjerët në të kaluarën i cili nëse ka filluar një projekt të caktuar, ta lë ashtu me dekada të qëndrojë dhe të mos ketë asnjë lëvizje sepse qytetarët e pësojnë në fund të ditës. Në vitin e parë të mandatit, përpos ri organizimit, pastrim gjeneral të kryeqytetit, mundësimin e transportit publik modern për të gjithë, këtu prioritet serioz do të kenë projektet tashmë të filluara”, tha Orce Gjeorgjievski – Kandidat për Qytetin e Shkupit.

Përmendët transportin publik, a do ta vazhdoni projektin të cilin e filloi kryetari i mëparshëm, z.Shilegov, pra BRT – Bus Rapid Transport e për të cilin paguajmë penale për mos realizim, rreth 350 mijë euro në vit. Apo si do ta menaxhoni atë projekt sepse edhe kryeministri Mickoski paralajmëroi 100 autobusë elektrik, a do të jenë këto autobusë pjesë e programit tuaj?

“Në pranverën e hershme vitin e ardhshëm duhet të arrijnë 80 autobusë për kryeqytetin dhe 70 më duket ishin për komunat e tjera. Kjo është sa i përket autobusëve elektrik. Por Qyteti i Shkupit duhet të ketë strategji zhvillimore të mos vijmë në gjendje të kemi transport publik në kolaps. Ne duhet të kemi strategji në të cilën irelevante do të jetë se kush do të jetë kryetar i Shkupit në dhjetë apo pesëmbëdhjetë apo tridhjet vitet e ardhshme. Nuk guxojmë të vijmë në gjendje që të sillen zgjidhje ad-hok dhe t’i përmirësojmë gjërat siç po i përmirësojmë sot. Përpos 80 autobusët nga Qeveria, punojmë në pjesë të programit, gjithsesi se një pjesë do të merr edhe zgjidhja me Ndërmarrjen e Transportit Publik dhe e shqyrtojmë seriozisht mundësinë edhe për tren urban, të cilën e paralajmëroi ministri i transportit dhe lidhjeve dhe gjithsesi se të gjitha projektet për të cilat ka mjete, për të cilat ju thoni se paguajmë penale, unë do të përpiqem që nëse ka mundësi që të realizohen, t’i realizojmë. Nëse nuk ka mundësi direkte të realizohen, respektivisht nëse projekti nuk është ashtu siç e meritojnë qytetarët që të zbatohet një zgjidhje e caktuar, të përpunohen dhe të kemi lëvizje të shpejtë të punëve. Unë nuk guxoj të lejoj që asnjë denar nga arka e qytetit, nga paratë e qytetarëve të përdoret në mënyrë jo produktive, siç po ndodhë për momentin”, shtoi Orce Gjeorgjievski – Kandidat për Qytetin e Shkupit.

Z.Gjeorgjievski nga ana tjetër nga radhët e LSDM-së, Kaja Shukova zyrtarisht është kundër kandidatja juaj. Si e shihni garën? A prisni fitore që në raundin e parë?

“Unë pres mbështetje të fuqishme nga ana e qytetarëve. E respektoj zonjën Shukova, është një zonjë. Kam një qëndrim sa i përket angazhimit të saj në të kaluarën, ja qytetarët kanë pasur mundësinë të shohin nëse ka zbatuar masa pozitive në qytetin e Shkupit si ministre e ambientit jetësor apo nuk ka zbatuar. Është vendim i LSDM-së, nuk kam tjetër çfarë të shtoj për zonjën Shukova por pres mbështetje të fuqishme si asnjëherë më parë nga qytetarët. Tregues më i mirë i asaj se si mundet Orce Gjeorgjievski të menaxhojë me problemet, e panë qytetarët në katër vitet e kaluara që nga një komunë e devastuar të bëjmë një komunë me të cilën qytetarët krenohen sot. Besoj se Qyteti i Shkupit do të theksojë të gjithë potencialin e saj në katër vitet e ardhshme dhe se do të ndërtojmë vend të përbashkët pa dallim nëse jemi maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vlleh dhe të gjithë të tjerët, një vend të përbashkët me të cilin të gjithë do të krenohemi. Tani në Shkup nuk mund të krenohemi as me Kalanë përshkak gjendjes atje, edhe pse nuk është në kompetencë të plotë të Qytetit të Shkupit por Qyteti i Shkupit është ai që duhet të rregullojë hapësirën. Nuk mund të krenohemi as me hapësirën që Vodno e ka. Nuk munden çairasit të krenohen me bulevarin “Cvetan Dimov” sepse tridhjet vjet flitet për atë bulevar por nuk ka realizim. Nuk munden qytetarët e Kisella Vodës të krenohen me bulevarin “Boris Trajkovski” sepse gjithashtu tridhjet vjet po premtohet se do të ndërtohet por nuk është bërë deri tani. Kështu që qytetarët dinë të dallojnë. Unë edhe në anketat e brendshme partiake mora mbështetje serioze nga ana e qytetarëve nga Qyteti i Shkupit. Besoj se do të kem fitore qysh në raundin e parë”, tha Orce Gjeorgjievski – Kandidat për Qytetin e Shkupit.

A do të dilni edhe ju si znj.Arsovska do të dilni nëpër objekte pa leje për inspektim dhe do të kyçeni drejt për drejtë por ndoshta edhe do të rriheni me qytetarë?

“Shihni, stili im i punës është i njohur nga ajo që unë vazhdimisht jam prezent në teren, unë nuk jam politikan salloni, populli këtë shumë mirë e di. Por ka kompetenca të cilat janë në një institucion të caktuar dhe ka kompetenca të cilat janë të institucioneve të tjera. Sa i përket të gjitha atyre dramave unë thash vetëm disa gjëra në publik, qëndrimi im është mjaft i qartë. Tolerancë për gjithçka që paraqet veprim kundër ligjor nuk duhet të ketë ndaj askujt. Që do të thotë se ka institucione në shtet të cilat duhet të veprojnë jo vetëm në komunën e Çairit nëse ka indicje të caktuara por gjithkund në shtet. Ne duhet të ndërtojmë një shoqëri ku të gjithë do të jemi të barabartë por edhe ligji për të gjithë do të vlejë njësoj”, shtoi ai.

Z.Gjeorgjievski ju faleminderit për intervistën.

“Ishte nder” tha Orce Gjeorgjievski – Kandidat për Qytetin e Shkupit./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit