Ka vazhduar fushata për zgjedhjet lokale që do të përsëritën më 11 janar në komunat e Gostivarit, Vrapçishtit, Qendër Zhupës dhe Marvrov Rosshtushës. Ndonëse është çështje orësh deri në përfundimin e fushatës, kandidatët për këto komuna po japin atomin e fundit, për ti bindur qytetarët se duhet të votojnë për ta.
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, për komunën e Vrapçishtit, Isen Shabani, ka mbajtur dje tubimin përmbyllës, në të cilën morrën pjesë edhe liderët e koalicionit Ali Ahmeti dhe Arben Taravari. Iseni i cili synon edhe një mandat për të udhequr me komunën e Vrapçishtit, premtoi shkolla të rregulluara, rrugë të ndërtuara dhe ujë të pastër.
ISEN SHABANI, KANDIDAT I AKI-SË PËR KOMUNËN E VRAPÇISHTIT
“Platforma jonë për katër vitet e ardhshme ngërthen në vete 51 km kanalizim në të gjitha fshatrat e komunës, një projekt jetik për shëndetit dhe mjedisin, 11 rrugë të kontraktuara që tashmë kanë kaluar për fazën e parë dhe kanë mbetur vetëm me dy fazat përfundimtare, projekte reale, jo premtime boshe”.
Fushatën për zgjedhjet lokale e ka vazhduar edhe kandidati i VLEN-it për këtë komunë, Zulhajrat Demiri. Ai ka takuar banorët e disa fshatrave, duke premtuar infrastrukturë të re, shëndetësi më të mirë dhe arsim më cilësor. Për Demirin, përkrahje kanë ofruar edhe të gjithë liderët e VLEN-it, të cilët poashtu kanë zhvilluar takime me qyetarët, si dhe Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës.



