Në vend janë regjistruar gjithsej 43 raste të etheve të Nilit Perëndimor, prej të cilave 40 janë konfirmuar përmes analizave laboratorike, ndërsa tre raste mbeten të dyshuara. Për herë të parë janë konfirmuar raste edhe në komunat Qendër dhe Çair, sipas të dhënave të fundit.
Pas raportimeve të shumta nga qytetarët për zogj të ngordhur, të cilët janë denoncuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), virusi i Nilit Perëndimor është konfirmuar edhe te një korb i ngordhur.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në koordinim me përfaqësuesit e komunave të Shkupit, ka prezantuar masat e përditësuara për kontrollin e mushkonjave në 34 zona të identifikuara si me rrezik dhe në 13 zona me rrezik të lartë.
“Serava është pjesë e problemit në Haraçinë dhe Butel. Kanalet në Jurumleri, Stajkovci, Singjeliqi, Gazi Babë, kanali kryesor i Ilindenit në Fushën e Shkupit, kanalet në Draçevë, Batincë dhe Studeniçan, si dhe disa pika të tjera me rrezik të lartë që më parë nuk ishin marrë parasysh. Ndër to janë edhe gropat septike”, deklaroi Klekovski.
Si zona potencialisht të rrezikshme janë evidentuar edhe varrezat, për shkak të ujit të grumbulluar në vazot e luleve, çezmave publike të dëmtuara dhe mbetjeve të ndryshme, përfshirë gomat e vjetra.
Ndërkohë, Qyteti i Shkupit po punon në hartëzimin gjeografik të zonave me rrezik të lartë, ku janë evidentuar ujëra të ndenjura. Qendra e Shëndetit Publik në Shkup po përgatit planin operacional, i cili do të përcaktojë lokacionet dhe kohën e trajtimeve, si dhe llojin e ndërhyrjes që do të aplikohet.
Në lidhje me situatën krahasuar me vitet e kaluara dhe masat kundër mushkonjave, entomologia e QShP-së së Shkupit, Nikolina Sokolovska, ka thënë se është vërejtur një ulje e numrit të mushkonjave.
“Tani duhet të hartëzohen dhe të identifikohen pikat kritike dhe ato duhet të trajtohen. Për shembull, në lagjen Draçevë, nuk ka të njëjtin numër mushkonjash në çdo pjesë. Prandaj duhet të punohet më në mënyrë më të detajuar, në mënyrë që të kemi ulje të numrit të mushkonjave”, deklaroi Sokolovska.
Sipas institucioneve, të gjitha mjetet që përdoren për spërkatjen kundër mushkonjave janë të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Megjithatë, problem mbetet edhe mungesa e kanalizimit urban në një pjesë të zonave periferike të Shkupit.
“Një nga gjërat që mungojnë dhe që po e identifikojmë aktualisht janë tabletat me bacile për dezinfektimin e gropave septike. Ato gjenden në Greqi, e kemi identifikuar këtë zgjidhje, por nuk gjenden në Maqedoni. Po punojmë që ato të bëhen të disponueshme edhe tek ne”, tha Klekovski.
Në Klinikën Infektive aktualisht po trajtohen 22 pacientë me ethe të konfirmuara të Nilit Perëndimor. Sipas të dhënave, pacientët kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, ndërsa pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe po marrin trajtim në repartin e kujdesit intensiv.






