Në një reagim publik, Kaltrina Bytyqi, nënkryetare e Parlamentit Studentor dhe përfaqësuese e asociacionit studentor pranë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), thekson se protesta nuk është thjesht një marshim simbolik, por vazhdimësi e një rruge të gjatë historike të rezistencës dhe përpjekjeve për të drejta.
Ajo rikujtoi periudhat kur gjuha shqipe përdorej dhe ruhej në mënyrë të fshehtë, duke e cilësuar protestën si një jehonë të sakrificave të gjeneratave të mëparshme. “Ne jemi vazhdim i atyre që nuk u dorëzuan. Zëri ynë sot është amaneti i tyre dje,” u shpreh Bytyqi.
Sipas saj, studentët do të dalin në protestë jo vetëm për kërkesa individuale, por për të drejta kolektive që lidhen me trajtimin e barabartë në shtetin e përbashkët. Në deklaratë theksohet se çështjet e identitetit dhe gjuhës nuk janë të negociueshme dhe nuk mund të shtyhen.
Organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare, duke e cilësuar protestën si një moment të rëndësishëm për artikulimin e kërkesave për barazi dhe dinjitet./Ora24.tv



