Policia ka ngritur kallëzim penal në Prokurori kundër një kryetari të një komune të Shkupit dhe pesë personave të punësuar në Sektorin e Urbanizmit në të njëjtën komunë dhe një personi juridik nga Shkupi, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer vepër penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”.
Jozyrtarisht, Alsat mëson se bëhet fjalë për të punësuarit në Komunën e Karposhit, në krye me Stevço Jakimovskin.
“Në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Konstatimin e Statusit Juridik të objekteve pa leje, kanë konstatuar se gjoja objektet për sport dhe rekreacion – fushë tenisi i plotësojnë kushtet për legalizim, edhe pse objektet e tilla janë të përkohshme dhe nuk mund të legalizohen. Pas kësaj, bashkë me kryetarin e paraqitur kanë nënshkruar pëlqim urbanistik, ndërkaq pas pagesës së tatimit përkatës të pronës, kanë përgatitur dhe nënshkruar vendim për konstatimin e statusit juridik të objektit pa leje”, njoftojnë nga MPB-ja.
Sipas policisë, në këtë mënyrë i kanë mundësuar personit juridik të paraqitur që t’i regjistrojë objektet gjoja pa leje, në hapësirë të përgjithshme prej rreth 4.000 metra katrorë. Me këtë, është dëmtuar buxheti në vlerë prej 2,4 milionë euro. Jakimovski, edhe në vitin 2019-të u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërtim pa leje në një lëndë bashkë me 10 persona të tjerë, të cilët një pjesë ishin punonjës të komunës. /Alsat.mk