Kadrijaj: Sakrifica e familjes Jashari është amanet për të mbrojtur lirinë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në seancën solemne të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, përkujtoi sot sakrificën e familjes Jashari.

 

Ajo tha se “sot po kujtojmë me respekt e me përulësi një prej kapitujve më të lavdishëm dhe më të dhimbshëm të historisë tonë kombëtare, sakrificën e familjes Jashari. Ka familje që bëjnë histori po ka familje që bëhen vetë histori e tillë është familja e komandantit legjendar Adem Jashari.”

Kadrijaj kujtoi betejën e marsit 1998 në Prekaz, duke shtuar se “në marsin e vitit 1998 në Prekaz u zhvillua një betejë mes frikës dhe lirisë, mes nënshtrimit dhe dinjitetit, për tri ditë me radhë 5, 6 dhe 7 mars familja Jashari qëndrojë e pa thyeshme përballë një makinerie të tërë ushtarake, ata e dinin se çmimi ishte i lartë, e dinin se rreziku ishte i madh por mbi të gjitha e dinin se liria kërkon sakrificë, 59 anëtarë të kësaj familje u flijuan, burra, gra, fëmijë, ata nuk u tërhoqën, nuk u përkulën, nuk e braktisën pragun e shtëpisë, në atë kullë të Prekazit u mbrojt nderi i një kombi dhe e drejta për të jetuar të lirë në tokën tonë.”

Ajo theksoi se sakrifica e familjes Jashari kishte ndikim ndërkombëtar dhe mobilizoi qytetarët e Kosovës: “Sakrifica e tyre u bë kthesë historike, ajo zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare, mobilizoi bijtë dhe bijat e Kosovës dhe e bëri të qartë para botës se populli ynë kishte vendosur të jetonte i lirë.”

Kadrijaj përmendi se Epopeja vazhdoi në gjithë Kosovën, duke u bërë një kryengritje mbarëpopullore: “Epopetë vazhduan në Dukagjin, Llap e Karadak në Anamoravë si dhe në çdo cep të Kosovës, çdo zonë operative e Ushtria Çlirimtare e Kosovës shkroi kapitullin e vetë të lavdisë me beteja dhe sakrifica, ishte një kryengritje mbarëpopullore për dinjitet dhe për shtet.”

Sipas deputetes, kompleksi memorial në Prekaz është vend reflektimi dhe betimi:

“Aty shkojmë për të marrë forcë, aty mësojmë se liria nuk është dhuratë por është amanet dhe amaneti i familjes Jashari për ne është i qartë, ta duam këtë vend, ta mbrojmë këtë shtet, ta forcojmë drejtësinë dhe unitetin tonë kombëtarë, të jemi të denjë për gjakun e derdhur.”

Kadrijaj përmendi edhe mbështetjen për krerët e UÇK-së që përballen me procese gjyqësore:

“E në këtë ditë përkujtimi nuk mund të mos shprehim solidaritetin tonë me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot po përballen në procese gjyqësore në Hagë, ne besojmë në drejtësi po ashtu besojmë në të vërtetën e luftës sonë çlirimtare, lufta e UÇK-së ishte luftë për mbrojtje, për liri dhe për mbijetesë.”

Ajo përfundoi duke theksuar se e ardhmja e Kosovës është amanet dhe përgjegjësi:

“Historia jonë nuk mund të zhbëhet dhe sakrifica jonë nuk mund të njolloset, gjithë ashtu askush nuk ka të drejtë të luaj me të ardhmen e Kosovës, askush nuk ka të drejtë të vë në pikëpyetje sakrificën e bijve dhe bijave të kombit tonë, as të përdorë lirinë tonë për interesa të ngushta as politike e as personale. E ardhmja e Kosovës është amanet, është përgjegjësi dhe është detyrim që ta mbrojmë me vendosmëri ashtu siç u mbrojt dikur me gjak. Lavdi Komandantit Legjendar, Adem Jashari, lavdi e përjetshme familjes Jashari, lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, rroftë UÇK-ja.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit