10.8 C
Skopje
Saturday, December 6, 2025

KAB Struga me sukses përmbylli projetin “Burime publike, përgjegjësi publike”

 

Në kuadër të projektit “Burime publike, Përgjegjësi publike”, Organizata KAB Struga realizoi eventin përmbyllës të projektit panel-diskutimin me temë: “Kodi Zgjedhor dhe parashikimet për keqpërdorimin e resurseve administrative – korniza ligjore dhe mekanizmat për parandalimin e keqpërdorimeve” si dhe prezantoi gjetjet e monitorimit për komunat Strugë, Dibër dhe Qendër Zhupë. Monitoruesit prezantuan gjetjet nga monitorimi për Strugën si dhe tendencat e vërejtura për përdorimin e resurseve administrative gjatë fushatës gjatë periudhës së monitorimit. Mjedisi i fushatës në Strugë ishte konkurues dhe aktiv, me takime të shpeshta komunitare dhe angazhime lokale nga disa kandidatë. Ndërsa atmosfera mbeti përgjithësisht e qetë, monitoruesit vërejtën përdorim të përsëritur të institucioneve publike veçanërisht shkollave dhe, në disa raste, objekteve shëndetësore për aktivitete fushate. Qasja në këto hapësira nuk dukej diskriminuese, por ishte informale dhe shpesh pasqyronte ndikimin e kandidatëve të caktuar. Është vërejtur gjithashtu pjesëmarrja e fëmijëve në ngjarje fushate. Disa shërbime publike të vazhdueshme u përmendën në mesazhet e fushatës, nuk u raportuan projekte të reja apo inaugurime. Kandidatët nuk kanë respektuar heshtjen zgjedhore dhe kanë vazhduar të postonin përmbajtje promovuese në rrjete sociale. Në përgjithësi, aktivitetet e monitoruara kanë treguar përdorim të përsëritur, por jo të koordinuar në mënyrë qendrore të resurseve administrative, kryesisht përmes hapësirave publike dhe aktorëve institucionalë, ndërkohë që vetë procesi i ditës së votimit ka qënë i rregullt në Strugë.

Gjatë periudhës së monitorimit, aktivitetet e fushatës në Dibër u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe transparente. Monitoruesit nuk regjistruan raste të rëndësishme të keqpërdorimit të burimeve administrative. Institucionet publike, përfshirë organet komunale, shkollat dhe ndërmarrjet publike, kryen funksionet e tyre në mënyrë neutrale. Nuk u konstatua përdorim i hapësirave publike për qëllime partiake dhe as përdorim i automjeteve apo pajisjeve zyrtare në aktivitetet e fushatës.Parregullsitë e vogla të vërejtura nga monitoruesit ishin të izoluara dhe nuk ishin të koordinuara, sistematike apo të nxitura nga institucionet. Prania e vëzhguesve, së bashku me ndërgjegjësimin e publikut dhe mediave për rregullat e neutralitetit, kontribuoi në përmbajtjen e zyrtarëve dhe aktorëve politikë. Nuk u identifikuan raste të prokurimeve selektive, inaugurimeve të projekteve apo shpenzimeve publike preferenciale gjatë periudhës së fushatës. Në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë heshtjes zgjedhore, procesi ishte i qetë, pa shenja presioni, frikësimi apo përfshirjeje të punonjësve publikë në aktivitete partiake. Mediat lokale e mbuluan procesin në mënyrë të balancuar dhe nuk shfaqën elemente të promovimit institucional të garuesve politikë. Në përgjithësi, gjetjet e monitorimit nuk zbuluan keqpërdorim të përhapur, sistematik apo të qëllimshëm të burimeve administrative. Madhësia e vogël e komunës, transparenca shoqërore dhe kujdesi i shtuar i aktorëve institucionalë luajtën rol kyç në parandalimin e keqpërdorimeve, ndërsa prania e vëzhguesve kontribuoi në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Gjatë gjithë periudhës së monitorimit, në Qendër Zhupë nuk u vunë re raste të keqpërdorimit të burimeve administrative. Aktivitetet e fushatës ishin të pakta dhe asnjëra nuk u zhvillua në hapësira publike apo nuk përfshiu ndërtesa, pajisje apo automjete publike. Të tre aktivitetet e regjistruara në fazat e mëvonshme të fushatës u zhvilluan në lokacione private ose neutrale, pa asnjë shenjë qasjeje të privilegjuar ndaj burimeve institucionale. Zyrtarë publikë morën pjesë në disa aktivitete të fushatës, kryesisht të lidhura me tubime të DNET, THP dhe TDP, por këto pjesëmarrje ndodhën pas orarit të punës dhe u kuptuan si pjesëmarrje private e jo si mbështetje institucionale. Prania e tyre lidhej me lidhje personale, familjare ose sociale dhe jo me keqpërdorim të autoritetit. Nuk u regjistrua asnjë rast ku zyrtarët të kenë dalë me uniformë, të kenë përdorur tituj zyrtarë ose të kenë ndërthurur detyrat zyrtare me fushatën. Nëpunësit publikë respektuan detyrimet ligjore dhe nuk u evidentuan aktivitete gjatë orarit të punës që mund të tregonin mbështetje preferenciale për ndonjë garues. Nuk pati njoftime për projekte të reja, përfitime, prokurime ose punësime që mund të lidhen me fushatën. Asnjë aktor politik nuk përdori burimet publike për të promovuar projekte në zhvillim apo për të krijuar avantazhe. Po ashtu, nuk u vu re përfshirje e policisë apo shërbimeve të sigurisë në ndonjë aktivitet fushate. Nuk pati as përfshirje të palëve të treta. Nuk u identifikuan organizata, biznese apo grupe informale që të ofronin hapësira, shërbime apo mbështetje promovuese për kandidatët. Grupet vulnerabël apo minoritare nuk u ekspozuan ndaj praktikave të synuara apo diskriminuese të lidhura me fushatën. Në përgjithësi, ambienti zgjedhor në Qendër Zhupë u karakterizua nga neutralitet i rreptë i institucioneve, intensitet i ulët i fushatës dhe respektim i lartë i standardeve ligjor. Zgjedhjet nuk arritën pragun e nevojshëm të daljes në votime për zgjedhjen e kryetarit të komunës.

Në kuadër të eventit u realizua edhe panel diskutimi mbi temën “Kodi Zgjedhor dhe parashikimet për keqpërdorimin e resurseve administrative – korniza ligjore dhe mekanizmat për parandalimin e keqpërdorimeve” ku në cilësinë e panelistit, juristi Masar Zhaku elaboroi trajtimin e kornizës ligjore mbi temën dhe legjislacionin e ndërlidhur mbi kompetencat dhe mbikqyrjen e procesit zgjedhorë në Maqedoninë e Veriut, rolin e institucioneve dhe përgjegjësitë që burojnë për paleët në proces.

Kjo ngjarje u përgatit në kuadër të projektit për Institucione të qëndrueshme të Ballkanit për qeverisje demokratike dhe zgjedhje (BRIDGE), i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup dhe Programit për mbështetje zgjedhore i bashkëpunimit zviceran në Maqedoninë e Veriut, zbatuar nga Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES). Përmbajtja e këtij produkti nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve, projekteve ose zbatuesve.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit