Pushimet në Jug këtë vit janë më të shtrenjta se asnjëherë. Vlora, Saranda dhe zonat përreth tyre po përballen me një rritje të ndjeshme si te strukturat akomoduese ashtu dhe baret e restorantet. Sipas një vëzhgimi nga Revista Monitor, çmimet në strukturat akomoduese si shtëpitë me qira ditore dhe hotelet janë rritur me 25-30%.
Kjo rritje është konfirmuar edhe nga operatorët e tregut, të cilët deklarojnë se të gjitha çmimet, si të akomodimit ashtu dhe të ushqimeve e bar-restoranteve janë së paku 20% më të shtrenjta se një vit më parë.
Operatorët turistikë shpjegojnë se në fillim të sezonit, kërkesa e lartë çoi në rritje të çmimeve, një tendencë që u vlerësua si normale për sa kohë që nxitej nga fluksi i lartë i turistëve. Megjithatë, më vonë me afrimin e verës u vërejt një rritje tjetër e çmimeve në pritje të një numri të lartë turistësh, që realisht nuk po ndodh. Ka më shumë turistë të huaj se një vit më parë, por gjithsesi jo aq shumë sa pritej, nisur nga tendenca e fillim vitit. Kjo rritje e dytë e çmimeve nga operatorët turistikë konsiderohet disi spekulative e nxitur nga etja për fitime të shpejta, që nga ana tjetër po largon turistët, sidomos ata vendas. Heqja e vizave ka bërë dhe që edhe shtetasit me aftësi paguese të Kosovës, që më parë shkonin në Jug, të ikin drejt Greqisë.
Advertisement
Vlora, jo më lirë se 55-60 euro/nata
Nëse vitin e kaluar, mund të gjeje një apartament në qendër të Vlorës për 40 euro për natë, këtë vit, kjo është e pamundur. Në një kërkim të thjeshtë në platforma të njohura si Booking apo Airbnb për një natë korrik 2024 në qendër të Vlorës, çmimi i akomodimit më të lirë dhe më i përshtatshëm është rreth 60 euro për natë. Gjithashtu, nëse kërkohet të qëndrohet në zona të tjera të Vlorës si Radhimë apo Orikum, të njohura për plazhet e tyre familjare dhe për çmime më të përballueshme, një apartament me qira ditore mund të kushtojë rreth 60 euro në natë.





